Kryeministri Edi Rama me një postim në rrjetet sociale risjell në vëmendje atë që tha më herët ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, që nga dita e sotme do të shndërrohen në Covid dhe dy spitalet rajonale të Shkodrës dhe Durrësit.
Rama kërkon nga qytetarët që të kenë kujdes në respektimin e masave, që do të qendrojnë në fuqi aq kohë sa e parashikon Komiteti Teknik i Ekspertëvë.
Postimi i plotë i Ramës:
Sot nis me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës antiCOVID nga kontrata me Pfizer dhe intensifikimi i planit të vaksinimit, ndërkohë që jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina Astrazeneca.
Aktivizohet sot skenari i parë i përfshirjes së spitaleve rajonale për përballimin e nevojës për shtrime në spital, ndërkohë që respektimi i masave kufizuese në fuqi mbetet domosdoshmëri deri në afatin e përcaktuar nga Komiteti Teknik.
Mbi 90 mijë teste të shpejta janë kryer në 54 pikat e testimit në komunitet përveç testit PCR, ndërkohë që vijon intensifikimi i përpjekjeve në terren për të këputur hallka të zinxhirit të infektimeve.
Zotimet e atyre që thonë se vaksinat do i sigurojnë në mbledhjet e partive simotra apo që drejtojnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë, ndërkohë që Shqipëria është një nga dy vendet e vetme në rajon që ka siguruar nisjen e vaksinimit, janë një arsye për ta neveritur politikën e futjakotësisë!
(E.K/Faxweb.al)