Ministria e Financave ka dorëzzuar në qeveri projektin për faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për bizneset debitore si dhe për faljen e taksave dhe kamatave për automjetet. Nga kjo do të përfitojnë pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar asnjë taksë prej vitit 2011 e në vazhdim dhe që duan të çregjistrojnë mjetet e tyre duhet të paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Rrugor këëto dokumente.
Kur pronari të kërkojë çregjistrimin e mjetit do të përfitojë falje për të gjitha detyrimet. Por ai duhet të paraqesë dokumentet: Lejen e qarkullimit, certifikatën e pronësisë dhe targat e mjetit. Në rast se nuk i ka këto dokumente, i kanë humbur ose ia kanë vjedhur, duhet të paraqesë denoncim në polici. Procedura për çregjistrimin e mjeteve do të nisë menjëherë pas miratimit nga qeveria të draftit. Drafti pritet të kalojë sot në mbledhjen e qeverisë dhe menjëherë pas miratimit, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor do të përgatisë udhëzim për të gjitha mjetet që përfitojnë nga falje, shkruan Gazeta Shqiptare.
FALJA E DETYRIMEVE
Rreth 140 mijë pronarë mjetesh do të përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme të detyrimeve që kanë pa paguar për mjetet e tyre. Përfituesit janë ndarë në dy kategori. E para është për pronarët e mjeteve, të cilët prej vitit 2000 deri në 2011- ën nuk kanë paguar asnjë taksë për mjetin dhe makinën e tyre duan ta nxjerrin nga qarkullimi. Pronarët e këtyre makinave do të përfitojnë falje të të gjitha detyrimeve, d.m.th. të taksave, gjobave dhe kamatave, por duhet që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e faljes t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor për çregjistrimin dhe nxjerrjen nga qarkullimi të mjetit. Ndërsa, pronarët e makinave që për të njëjtën periudhë, nga viti 2000 dhe deri në dhjetor të vitit 2011 nuk kanë paguar taksat dhe duan ta mbajnë në qarkullim mjetin, duhet të paguajnë vetëm taksat për të gjithë periudhën dhe përfitojnë falje të kamatave. Skema është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat bëjnë të ditura që janë një pjesë e konsiderueshme mjetet që nuk kanë përfituar nga amnistia e vitit 2009, pasi pronarët e tyre nuk kanë aplikuar. Sipas të njëjtave burime, për makinat që kanë detyrime për taksa dhe gjoba pas janarit 2012, do të përfitojnë falje të gjobave vetëm në rast se kryhet pagesa e detyrimeve tatimore.
“SUPERGJOBAT”
Pak ditë më parë, Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera shpjegoi detaje të propozimit të Financave për “amnistinë”, që pritet të kalojë në qeveri dhe që i fal 28 mld lekë biznesit. Do të falen tatimet, interesat dhe gjobat e para vitit 2010, ndërsa nga viti 2011 deri në 2014- ën do të falen vetëm kamatat e gjobat dhe duhet të paguhen të plota taksat. Nga falja që pritet të miratohet në qeveri janë edhe “supergjobat”, që u vunë në kohën e aksionit anti-informalitet. “Jemi në fazën e shqyrtimit të projektit nga ministritë e linjës. Ministria e Financave ka përgatitur dhe diskutuar edhe me FMN-në, për të lançuar një sistem që stimulon pagesën e detyrimeve tatimore përmes heqjes së gjobave ose kamatave dhe fshirjen e detyrimeve të para 7 viteve. Ideja për të lançuar këtë projekt ka qenë jo e këtij viti, por e vitit 2016. U diskutua gjerësisht dhe u panë disa variante e opsione dhe u zgjodh më e mira. Kjo u pa si një paketë me masa të tjera, që janë në funksion të mbledhjes së detyrimeve tatimore, duke ecur me moton që, Tatimet duhet të jenë kreditori i parë që duhet të trokasë në derën e bizneseve. Ligji i 2011-shit ishte 90% amnisti, ndërsa kjo e tanishmja nuk është amnisti. Ky draft thotë se detyrimet, interes – gjoba para 2010-ës do të fshihen”, – tha Lera.
TAKSAT
Të gjithë ata që kanë deklaruar me vonesë deklaratat e sigurimeve, Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të pasqyrave financiare apo destinimit të fitimit, mund të përfitojnë nga drafti i fundit i faljes fiskale, i cili parashikon fshirjen e gjobave prej 10 mijë lekësh për deklaratë, që vë automatikisht sistemi, në rast vonese apo mosdeklarimi të tyre. Falen edhe gjobat e listëpagesave që ka vendosur sistemi. Në draft është parashikuar edhe afati kohor për të përfituar. Të gjitha deklarimet e padorëzuara duhet të mbyllen deri në fund të qershorit të këtij viti. Sipas draftit të hartuar nga Ministria e Financave, janë gjithashtu objekt i fshirjes sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin: dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016; dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.
DRAFTI
Në draft është parashikuar edhe falja për gjobat masive që u vunë nga sistemi për deklarime të vonuara të administratorëve dhe të punësuarve në qershor 2016. “Falen dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar, sipas nenit 113 të ligjit Nr. 9920, datë 19.08.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve”, thuhet në draft. Të gjithë ata që morën “supergjoba” në dhjetor të vitit 2015, për aq kohë sa u zbatuan ndryshimet në ligjin e procedurave, do të përfitojnë gjithashtu nga falja. Sipas draftit, “falen dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/ 2015, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese”.
PROCEDURA E ÇREGJISTRIMIT TË MJETEVE DHE FALJES SË DETYRIMEVE
1. Çregjistrohen të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat nuk kanë kryer asnjë veprim me këto mjete pas periudhës 31 dhjetor 2011.
- Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar detyrimet e prapambetura, si: taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, taksën e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave e tarifave. Tatimpaguesit/ personat përgjegjës kanë të drejtë që brenda datës 31.03.2017 të paraqiten pranë DPSHTRR për të kryer, pa pagesë, veprimet e çregjistrimit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij.
- Personave të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara dhjetorit 2011 dhe duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve që u përkasin periudhave pas janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë.
- Nëse brenda datës 31.03.2017 personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, DPSHTRR-ja do të kryejë pa pagesë çregjistrimin e mjeteve dhe shuan detyrimet tatimore për këto mjete.
- Lista e mjeteve me targat përkatëse të çregjistruara sipas këtij ligji u dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit për bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.
PËRFITUESIT
1. Falen detyrimet për 140 mijë mjete
- Falen gjobat për mjetet që paguajnë taksat
- Falen gjobat dhe taksat për mjetet që do të dalin nga qarkullimi 4. Për makinat që s’kanë paguar detyrimet para vitit 2011, falen gjobat dhe taksat në rast se çregjistrohen
- Pronarët e mjeteve që s’kanë paguar detyrimet para vitit 2001 dhe duan të mbajnë makinat, duhet të paguajnë vetëm taksat, u falen kamatat
- Pronarëve të mjeteve që s’kanë paguar taksat pas vitit 2011 e në vazhdim, iu falen kamatat në rast se paguajnë të gjitha detyrimet, pra për periudhën 2012-2015.
DETYRIMET QË FSHIHEN
1. Gjobat për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016. 2. Gjobat për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017. (J.V/Shuplaka)