Sot hyn në fuqi vendimi i vendeve perëndimore për të vendosur një tavan për çmimin e naftës që Rusia mund të eksportojë. Australia, Britania, Kanadaja, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe 27 vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord të premten të kufizojnë çmimin për naftën ruse në 60 dollarë për fuçi. Masa e re kufizuese synon të frenojë ekonominë ruse dhe të zvogëlojë më tej aftësinë e saj për të financuar luftën në Ukrainë. Moska ka thënë se nuk do ta respektojë vendimin dhe do e shesë naftën e saj me çmimin e tregut.Anijet transportuese të naftës, që janë nisur të hënën nga portet ruse, përballen me një udhëtim të pasigurt.
Sipas vendimit të javës së kaluar, kompanitë e sigurimit dhe kompanitë transportuese të naftës do të lejohen të tregëtojnë naftën ruse vetëm nëse ajo shitet me çmimin tavan prej 60 dollarësh. Shumica e kompanive të sigurimit janë me seli në Evropë dhe në Britanin ë e Madhe.Nafta ruse edhe tani shitej me një çmim rreth 65 dollarësh për fuçi, shumë më ulët sesa çmimi i tregut që të premten ishte 85.42 dollarë për fuçi
“Para pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja plotësonte një të katërtën e nevojave të saj për naftë nga Rusia. Eliminimi i këtyre importeve është një hap i madh për Evropën. BE-ja ishte gjithashtu tregu më i madh i eksportit për Rusinë dhe ka mbetur i tillë, deri tani”, vlerëson analisti kryesor i Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, Lauri Myllyvirta.
Kufizimi i çmimit synon të shtojë presionin ekonomik mbi Rusinë dhe të zvogëlojë aftësinë e saj për të financuar luftën në Ukrainë.Rusia thotë se nuk do t’i përmbahet vendimit edhe nëse duhet të zvogëlojë prodhimin, ndërsa presidenti rus, Putin paralajmëroi se vendimi do ndëshkojë vendet e varfra.
“Nëse vendosen kufizime artificiale të çmimeve të naftës ruse ose vendeve të tjera, kjo në mënyrë të pashmangshme do të përkeqësojë klimën e investimeve në sektorin global të energjisë dhe më pas do të çojë në mungesë globale të burimeve energjetike dhe kostoja e tyre do të rritet. Kjo pra do të godasë shtetet më të varfra”, tha presidenti rus, Vladimir Putin.Rusia është eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës.
Nafta ka qenë një nga burimet kryesore të fitimeve ruse që nga zbulimi i naftë dhe gazit në Siberi pas Luftës së Dytë Botërore.Kufizimi i çmimit do të rishikohet nga BE dhe G7-a çdo dy muaj./VOA