Ditën e djeshme u ndanë edhe çmimet Nobel për paqen. Çmim i cili iu dha organizatës ICAN,e cila ka pasur një fushatë votërore në lidhje me ndalimin e përdorimit të armëve bërthamore.
“Donald Trump dhe Kim Jong un duhet t’i japin fund!” ky ka qenë dhe apeli i drejtoreshës së ICAN, Beatrice Fihn, ditën e djeshme.
“Kim dhe Trump duhet ta dinë se armët bërthamore janë ilegale. T’i prodhosh dhe të kërcënosh se do t’i përdorësh është gjithashtu ilegale”, ka deklaruar Fihn.
Sipas saj, zgjedhja e Donald Trump president ka shtyrë shumë persona të shqetësohen për faktin se ai i vetëm mund të autorizojë përdorimin e armëve bërthamore.
ICAN lufton për implementimin e traktatit mbi ndalimin e armëve atomike. I krijuar në Australi e i zyrtarizuar më pas në Vjenë në vitin 2007, grupi numëron sot 468 organizata partnere në 101 vende të ndryshme.
Plot 122 vende e kanë miratuar traktatin e OKB-së për ndalimin e armëve bërthamore, por vendet që zotërojnë armë të tilla, përfshirë Amerikën, Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe dhe Francën, nuk ishin pjesë e bisedimeve.
Çmimi kërkon t’i japë një shtysë të re çështjes së çarmatimit nuklear, në kohën e tensioneve në rritje ndërmjet Uashingtonit dhe Penianit, e paqartësisë që rrethon fatin e marrëveshjes së vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha, për kufizimin e programit të tij bërthamor.