Pak minuta para mbylljes së mbrojtjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorë Jaeld Çela dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ky i fundit është shprehur se për akuzat e ngritura ndaj tij nuk ka asnjë provë.
“Kam 2 vjet që jam nën hetim, unë ministri i brendshëm akuzohem se kam trafikuar drogë. S’ka asnjë provë. E vetmja provë është se i kam shitur makinën vëllait të Moisi dhe Florjan Habilaj, që nuk është i përfshirë në asnjë akuzë kriminale.
Edhe sikur të isha vëllai i Habilajve nuk kisha pse të jem fajtor se vëllezërit merren me drogë. Unë kam qenë në drekë në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt. Ja ku janë titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën.
Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Më kanë vënë edhe bomba gjatë punës time. Iki në burg vetëm nëse më vërtetohen akuzat”, mësohet të jetë shprehur ish-ministri Tahiri.
Sot pritet të jepet dhe vendimi për 3 akuzat e ngritura për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin prokuroria ka kërkuar 12 vite burg, të cilat do të reduktohen ne 8 vite për shkak të procesit të shkurtuar.