Merkato e janarit tashmë ka hyrë në një fazë të “nxehtë” dhe ekipet e Superiores po mundohen që të përforcojnë ekipet e tyre. Këtu nuk bën përjashtim as Flamurtari, që këto ditë të para të merkatos, mediat por edhe administratori i klubit kishin përmendur emra të bujshëm, si Cassano apo Ronaldinho.
Edhe pse dukej sikur po kërkonin sulmues, goditja e parë për “kuqezinjtë” ka qenë një mbrojtës.
Klubi në faqen e tyre në Facebook ka njoftuar se, ka arritur marrëveshjen me ish lojtarin e Radnik Bijelj në kampionatin boshnjak.
Ivan Jakovljevic është një lojtar difensiv i cili mund të aktivizohet në dy role, si mbrojtës qendre dhe i krahut të djathtë.
Ekipi vlonjat vijon fazën përgatitore në Antalya të Turqisë. (A.R/SHUPLAKA)