Lajmet e showbiz-it kanë pushtuar hapësirën mediatike shqiptare, pas atyre të politikës. Mbi të gjitha gjatë sezonit veror, ku njerëzit janë më të prirur të lexojnë gjëra të lehta dhe kanë nevojë të pushojnë pak nga politika dhe gjërat e rënda.
Por, pse këto lajme janë të preferuara për drejtuesit e medieve dhe si i shohin ata që i prodhojnë? Pse Enca, Noizy, Çiljeta, Elvana, Flori, etj, lexohen më shumë sesa një lajm që ka vërtet rëndësi dhe ndikon në jetën e qytetarëve?
Në forumin e këtyre ditëve të nxehta, “Shuplaka” intervistoi 3 mjeshtra të showbiz-it: Adela Xhamanin kryeredaktore tek Revista Who, Ervin Kurtin e “Top Show Magazine”, dhe Eraldo Rexhon, drejtor i Revistës Who.
Të tre gazetarët e intervistuar flasin rrallë për veten dhe punën e tyre pasi më shumë i shohim si intervistues se sa si të intervistuar. Mirëpo “Shuplaka” i sjell në këtë version. Në intervistat e kryera me secilin prej tyre, gazetarët e lajmeve rozë sqaruan se përse mediet nuk bëjnë dot pa personazhe si psh, këngëtarja Enca Haxhia, që është ndër më të preferuarat e brezit të ri.
Secili prej tyre ka rrëfyer edhe karakteristikat apo “çelësin” e suksesit të tij. Psh, Adela është shprehur se ajo kërkon gjëra ndryshe.
“Ajo që unë kërkoj vazhdimisht, është ajo që të tjerët nuk e kanë. Pra një lajm ndryshe. Mendoj që kjo është pjesa më e vështirë, më e lodhshme dhe që ka pak rezultat por ia vlen.”, thotë Adela.
Ervini shprehet se nuk ka korniza dhe kjo është ajo që përbën suksesin e tij në këtë fushë.
“Unë nuk kam korniza dhe mendoj se kjo përbën dhe suksesin tim (referuar pyejtes suaj). Nëse unë funksionoj brenda kornizave, brenda meje diçka “vdes” dhe nuk jam më vetja. Mundohem të mbaj një lloj balance, por që herë pas here e prish enkas që t`i jap adrenalinë vetes ndryshe nuk e bëj fare. Vera është stina që të gjithë janë pushim. Këto kohë kam qenë duke kërkuar qetësinë, vërtetësinë te njerëzit, pikërisht atë vlerë që në të shumtën e rasteve nuk e shoh te personazhet e showbizit shqiptar (disa prej tyre) që shesin hera-herës një jetë që nuk e bëjnë.”, janë fjalët e Ervin Kurtit.
Ndërkohë Eraldo shprehet: “Besueshmëria, besoj se është çelësi. Qoftë në raport me personazhet, qoftë me lexuesit.”
PYETJE-PËRGJIGJE
Showbizz-i nuk mungon në asnjë medie dhe dihet që ka një shkak për këtë. Ecën. I bërë mirë apo keq, medies i sjell klikime. Si ekspert i saj pse mediet s’mund të bëjnë dot pa të?
Adela Xhamani: Sepse ndonëse i mbërritur vonë në Shqipëri, showbiz-i është një kategori më vete e shumë e rëndësishme e gazetarisë, njësoj si kronika apo politika. Është ndryshe por ka vendin e që i përket si çdo sektor tjetër. Media nuk mund të bëjë pa showbiz-in njësoj siç nuk mund të bëjë pa socialen apo ekonominë. Është pjesë e gazetarisë.
Ervin Kurti: Aq shumë është bërë prezent sa unë i kam propozuar kolegëve të mi që në Departamentin e Gazetarisë të krijojmë një lëndë me zgjedhje, “gazetari rozë” sepse shet realisht shumë. Imagjinoni një grup shoqëror që mblidhen me njëri-tjetrin dhe diskutojnë për të rejat mbi jetën e tyre dhe pasi mbarojnë me veten, fillojnë me të tjerët të tipit: “e more vesh filani u lidh me këtë”, “po ajo çne që më kishte hequr nga instagrami” apo “një natë tek blloku takova një shok që njihte djalin e filanit”, pra edhe lajmet e showbizit janë një vazhdimësi e kureshtjes së natyrës njerëzore për të ditur gjithçka.
A bëhet mirë? Mendoj se ka mjaft raste abuzive me qëllim kryesor klikimet, por thashethemet janë tashmë pjesë e pandarë e të gjitha portaleve. Madje edhe mediat më serioze online në Shqipëri shesin shumë duke vendosur foton e x zyrtari me rroba banjo në Dhërmi apo një x këngëtar që ka marrë kaq para në një dasëm apo koncert.
Eraldo Rexho: Sepse interesi dhe kurioziteti i njerëzve është shumë i madh për këtë lloj gazetarie… Njerëzit i kanë shfletuar për shumë vite në gazeta e revista suplementet e showbizz dhe së fundmi gjithmonë e më shumë në botën e online-t. Mendoj që mbingopja me informacion nga politika e kronika, i çon njerëzit gjithnjë e më shpesh tek lajmet rozë.
Çfarë lajmesh ”gjuan” më shumë dhe cilët personazhe shesin?
Adela Xhamani: Sigurisht që pesonazhet e aktualitetit dhe ne përpiqemi të thellohemi më së shumti mbi ngjarjet e aktualitetit. Pra nëse ndodh një ndarje, njerëzit duan të dinë shkaqet pse u lanë çifti më shumë se sa një rrëfim për verën nga x personazh tjetër. Pastaj kemi fatmirësisht edhe një kategori personazhesh që ngjallin interes në çdo kohë sepse vëmendja e tyre është e madhe. Sa më interesant e privat të jetë lajmi rreth tyre aq më shumë lexohet. Por edhe nëse bëhet thjesht një koment për rrobat e banjës apo ndryshimin e ngjyrës së flokëve, do të lexohet gjithsesi. Nuk është një listë e gjatë, por shyqyr që është.
Ervin Kurti: Gjuaj kryesisht lajmet e lidhjeve pra çifteve të reja, naderjet, tradhtitë, sherret që mund të kenë bërë në të kaluarën dhe sesi ndikojne në sjelljen e tanishme, kunjat që personazhet u thonë njëri-tjetrit në intervista të ndryshme dhe do të duhet të kuptosh qëllimin e publikimit të tyre, pjesën e operacioneve plastike etj. Shesin personazhet që thonë diçka ndryshe (kryesisht të sinqertë dhe të vërtetë) ose i japin zë një fenomeni që pranohet nga të gjithë në jetën e përditshme, por nuk para thuhet me zë të lartë në ekran.
Psh së fundmi po shet deklarata e modeles së njohur nga Mali i Zi, Emina Çunmulaj dhënë për Tirana Post në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë një femër kah një mashkulli të pasur duke e vënë theksin tek dinjiteti dhe puna e saj dhe jo paratë e cilitdo mashkulli që hyn në jetën e një femre. E thënë nga Emina e cila është e martuar me një të pasur, kjo deklaratë merr shumë vlerë dhe është frymëzim për vajzat e reja.
Eraldo Rexho: Lajmet që shesin më shumë janë historitë e reja të dashurisë, ndarjet, shtatzënitë, fotot paparac, sherret… Personazhet nuk i presim dot me thikë. Ndodh ndonjëherë të surprizohemi me shifrat, personazhe që nuk na e pret mendja lexohen shumë, ndërkohë që zhgënjejnë të tjerë për të cilët pritshmëritë janë të larta. Përgjithësisht këngëtarët dhe prezantuesit janë të parët, por dhe politikanët nuk qëndrojnë shumë mbrapa.
M’i fut në një kornizë karakteristikat e suksesit tënd. Këtë verë për shembull çfarë ke qenë duke kërkuar?
Adela Xhamani: Puna në portale si kurrë më parë na jep mundësinë që suksesin ta testojmë konkretisht, madje me shifra. Lajmet e mia lexohen dhe mund të them se puna ime ka një sukses të mjaftueshëm apo jo absolut. Sigurisht që duhet të bëj më shumë e me shumë gjasë ka kolegë që u lexohen lajmet shumë më tepër. Po e fus veten te mesatarët, për të mos u bërë shumë modeste. Ajo që unë kërkoj vazhdimisht, është ajo që të tjerët nuk e kanë. Pra një lajm ndryshe. Mendoj që kjo është pjesa më e vështirë, më e lodhshme dhe që ka pak rezultat por ia vlen.
Ervin Kurti: Unë nuk kam korniza dhe mendoj se kjo përbën dhe suksesin tim (referuar pyejtes suaj). Nëse unë funksionoj brenda kornizave, brenda meje diçka “vdes” dhe nuk jam më vetja. Mundohem të mbaj një lloj balance, por që herë pas here e prish enkas që t`i jap adrenalinë vetes ndryshe nuk e bëj fare. Vera është stina që të gjithë janë pushim.
Këto kohë kam qenë duke kërkuar qetësinë, vërtetësinë te njerëzit, pikërisht atë vlerë që në të shumtën e rasteve nuk e shoh te personazhet e showbizit shqiptar (disa prej tyre) që shesin hera-herës një jetë që nuk e bëjnë. Më vjen shumë keq për këtë gjë sepse realiteti shqiptar nuk ia ofron një mundësi të tillë gjë e cila ndikon në koncerte, çmimet e tyre dhe reputacionin në publik. Ne dyndemi duke lexuar sesi burri kapi mat gruan duke e tradhtuar, por nuk e konceptojmë të na ndodhi vetë, edhe kur ndodh përpiqemi ta mbulojmë për hir të imazhit. Kjo gjë duhet të marrë fund. Njerëzit duhet të pëlqehen paketë, me sukseset dhe skandalet, me fajet dhe të mirat që bëjnë në jetë. Siç publiku ka nevojë për vërtetësi nga personazhet dhe këta të fundit të përpiqen ta mësojnë publikun që të mos paragjykohen nëse ata nuk janë perfektë. Shpresoj që me kalimin e viteve kjo të ndodhë edhe këtu tek ne njësoj si në Europë apo SHBA. Ka ende punë për të bërë në këtë aspekt.
Eraldo Rexho: Besueshmëria, besoj se është çelësi. Qoftë në raport me personazhet, qoftë me lexuesit. Këtë verë “RevistaWho.Com” ka publikuar e para disa histori të bujshme, një ndër to ka qenë ajo e divorcit të artistes Jonida Maliqi.
Pse audienca shqiptare i do ende kaq fort lajmet me njerëzit e famshëm? I bëni mirë? I pëlqen thashethemi? Apo kërkon relaksin pas lajmeve të rënda të kronikës e politikës?
Adela Xhamani: Ky nuk është absolutisht një fenomen shqiptar! Showbiz-i është një “fabrikë” parash nëpër botë. Në Amerikë apo vendet e zhvilluara europiane paguhen miliona për një foto paparaci apo për një ekskluzive. Po le të mos shkojmë aq larg, e njëjta gjë ndodh edhe në Ballkan si në Turqi apo Greqi. Duhet thënë se në këtë aspekt kemi ende shumë rrugë për të bërë. Fakt është që kurioziteti për tjetrin është pjesë e natyrës njerëzore. Të gjithë, edhe pa showbiz bëjmë thashetheme për komshinjtë, kolegët… Edhe nëse nuk flasim, dëgjojmë me ëndje. Mendoj që është pjesa e “bukur” e të qenit të informuar, ndonëse tingëllojnë si lajme të kota. Lexoj shpesh nëpër komente si në faqet tona ashtu dhe në ato të huajat fjali si “E kujt i plasi se ça bën kjo”, “Nuk po na hahet buka se u ndanë këta” etj. Të njëjtit njerëz vazhdojnë shënojnë komente si këto në lajme të ndryshme. Pra janë gjithë kohës aty, duke na lexuar
Ervin Kurti: Nuk i do vetëm audienca shqiptare, por e gjithë bota. Kim Kardashian, Jennifer Lopez, Madonna apo Justin Bieper lexohen dhe komentohen në të gjithë botën. Është një industri e tërë që gjeneron miliarda të ardhura në vit vetëm nga postimi i fotove.
Psh mbaj mend kur Kim Kardashian pësoi një tronditje psikologjike teksa u rrëmbye në Paris vitin e kaluar, ajo nuk postoi përreth 3 muaj asnjë foto në instagramin e saj. Kjo gjë nga ana tjetër solli shqetësimin e kompanive që kishin lidhur kontratë me të dhe dëmet përllogariteshin në miliona dollarë të humbur. Ju kujtoj se Kim ka 102 milion ndjekës në Instagram!
Eraldo Rexho: Mendoj që përgjigjen për këtë e kam dhënë në pyetjen e parë, por po shtoj që si ballkanas na pëlqen shumë thashethemi. Më ka rastisur shpesh herë të më ndalin në rrugë njerëz të panjohur që kanë dashur të sigurohen mbi vërtetësinë e një lajmi.
Por edhe këtu, nuk jemi as të parët, as të fundit; në të gjithë botën kjo media tërheq audiencë dhe një nga arsyet është edhe sepse lexuesit duan që ta dinë se dhe yjet janë njësoj të gjallë si ata, me defekte dhe të meta./ SHUPLAKA