FMN ka përmbyllur misionin e radhës në Shqipëri, ndërsa krerët e Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe shefi i Misionit për Shqipërinë dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Në periudhën nga 25 prilli deri sot që flasim FMN ka monitoruar Shqipërinë. Këto diskutime u fokusuan tek pikat e dobëta dhe tek risqet. Rritja ekonomike e saj pritet të ngadalësohet me 3,5% këtë vit për shkak të uljes së prodhimit të energjisë elektrike. Fillimi i qëndrueshëm varet edhe nga përmirësimi në fushën e ligjit dhe treguesve të korrupsionit. Inflacioni do të jetë nën objektivin e parashikuar prej 3%. Deficiti fiskal ka rënë në 2018, por pritet të rritet gjatë 2019-s. Borxhi publik mbetet i lartë në nivelin 69,9% dhe pritet të zbresë në 69,3% në fund të këtij viti”,- tha Jan Kees Martijn, i deleguari i FMN-së në vendin tonë.
Përfaqësuesi i FMN-së vuri në dukje se, politika fiskale ka shumë pak hapësire për të mbuluar detyrimet e prapambetura dhe detyrimet që lindin nga PPP-të.
“Në rekomandojmë uljen e rreziqeve fiskale. Specifikisht në mendojmë se korrigjimet duhet të vijnë nga të ardhurat fiskale, pasi shpenzimet nuk mund të ulen më tej”, tha ai.
Martijn këshilloi qeverinë shqiptare të kufizojë risqet fiskale dhe të shlyejë të gjithë detyrimet e prapambetura, të cilat i shtohen borxhit si dhe të shlyejë TVSH-së në afat.
Martijn gjithashtu komentoi me kriticizëm qasjen e qeverisë ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm duke këshilluar që duhet të përmirësohet klima ndaj tij.
Ndërkohë ministrja e Financave Anila Denaj u shpreh në këtë konferencë të përbashkët për shtyp se rritja ekonomike është e stabilizuar me 4 %, ndërsa papunësia ka pësuar rënie ne 12.3 %.
Gjithashtu ministrja e Financave deklaroi angazhimin e qeverisë shqiptarë për rimbursimin në afate të TVSH-së për bizneset.
Kreu i Bankës së Shqipërisë, Genci Sejko tha se borxhi i brendshëm i qeverisë është reduktuar dhe se likuiditeti në sektorin bankar është i kënaqshëm.
“Kemi ulur kostot e financimit e janë zbutur luhatjet në treg. Duhet patur kujdes i vazhduar ndaj stabilitetit financiar të vendit”, tha guvernatori i BSH.