Po pritet me kërshëri analiza e akademikut Artan Fuga, lidhur me marrëveshjen Rama-Basha dhe ”Republikën e Re”. Akademiku ka njoftuar se do ta publikojë atë ditën e sotme në orën 14:00, por ndërkohë ka hedhur një tjetër postim.
Fuga shkruan se idetë mbesin, individët vijnë dhe ikin. ”Shqiptarët kurrë nuk do të gjejnë paqe, begati dhe dinjitet me këtë model qeverisjeje pa ndarje pushtetesh”, shpjegon akademiku.
KOMENTI I PLOTË:
”Idetë mbesin, individët vijnë dhe ikin!
Unë vazhdoj të mbështes çdo të ri ose të re, çdo të lirë ose të burgosur, çdo emigrant ose fermer, çdo këngëtar ose balerin, çdo burrë dhe çdo grua, çdo fëmijë të rritur dhe çdo të rritur fëmijë, çdo të aftë dhe çdo të paaftë, çdo zdrukthtar ose bojaxhi, çdo lopçar ose çdo shitës bananesh, çdo të sinqertë dhe çdo hipokrit, çdo fjalëpakët dhe punëshumë si edhe çdo punëpak dhe fjalëlumë, këdo pra, që angazhohet për një Republikë të Re, me ose pa x, y, z,, me ose pa këdo, me ose pa mua, unë kam 15 vjet që propagandoj, dhe do të vazhdoj ta propagandoj edhe 150 vjet të tjera!
Idetë mbesin, individët nuk janë veçse mjete për t’i cuar përpara ato. Ka që ecin, ka që mbesin!
Shqiptarët kurrë nuk do të gjejnë paqe, begati dhe dinjitet me këtë model qeverisjeje pa ndarje pushtetesh, ku partitë uzuropojnë shtetin, ku nëpunësi është militant, ku studentit i japin dogma për të mësuar dhe një pacavure letre në xhep duke e rrjepur nga lekët, ku teknicieni i aftë shkelet me këmbë në emër të servilit që leh dhe lëpin, punonjës i paguar si skllav pa të drejta në punë, ku kryetari i çdo qeverie në këto tre dekada është shumë më i fortë se çdo diktator i kaluar sepse është edhe emëruesi i Presidentit, edhe kryetar partie, edhe kryetar kuvendi, edhe kryetar territori, edhe drejton politikisht edhe ekonominë edhe shkencën, edhe arsimin, edhe shëndetësinë, si fabrikë vdekjeje, me pensionistë me rroba të palara e pahekurosura, të përdorura, me gra veshur me tuta nga varfëria ku padrejtësisht i kanë zhytur, ku pasuritë kombëtare i kanë vjedhur, tharë zhdukur, i izoluar nga Europa dhe nga Perëndimi, pa libra, drama, kulturë popullore, pa teatro, filma dhe me propagandë 24 orëshe, pa një sistem politik modern, demokratik, sikurse në vendet e përparuara me demokraci të pjekur, që edhe atje po e përpunojnë sërish, përndryshe pas çdo dështimi të madh do të mbesim skllevër, leckamanë dhe e shumta derra me bark të nginjur nga copa buke të thara.
Ajo që mungon do të vijë!” (V.G/SHUPLAKA)