E pranishme në vendngjarje dhe në spitalin e Lushnjes, minstrja e Shëndetësisë Albana Koçiu dha një raportim se si paraqitet gjendja e të shtruarve në spital pas asfiksisë nga zjarri.
Mesditën e sotme në një qëndër tregtare në Lushnje, në katin e tretë të godinës u përhapën flakë zjarri si pasojë e një shkëndije elektrike. Në spital u paraqitën deri 35 persona, mes tyre 2 fëmijë dhe 4 zjarrfikës të asfiksuar.
Minstrja thotë se situata është nën kontroll dhe nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar. Qytetarët kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe gjendja e tyre paraqitet e qetë.
“Falë një pune të mirë të ekipit të mjekëve dhe gatishmërisë së tyre në spitalin e Lushnjes çdo gjë është nën kontroll. Gjendja paraqitet e qetë. Të gjithë qytetarët kanë marrë mjekimet e nevojshme dhe për momentin nuk ka asnjë gjë për shqetësim apo situatë e cila nuk është nën kontroll” thotë ministrja.
Nga ana tjetër, ajo shton se edhe në qëndrën tregtare të gjithë banorët janë evakuuar dhe aktualisht forcat RENEA po kontrollojnë në çdo shkallë për të parë nëse ka ndonjë qytetarë, i cili ka nevojë për t’u shpëtuar.
“Edhe në Qëndrën Tregtare situata aty paraqitet gjithashtu nën kontroll. Janë evakuuar të gjithë banorët dhe aktualisht janë forcat e RENEA-s të cilët po kontrollojnë kat më kat për të parë nëse ka ndonjë qytetarë tjetër i cili ka nevojë për t’u shpëtuar. Nga informacionet paraprake që unë kam të gjithë qytetarët janë evakuuar dhe sigurisht policia, zjarrfikësit janë aty për të marrë situatën nën kontroll. Në ndërkohë doja të bëja edhe një falenderim të jashtëzakonshëm për gjithë forcat zjarrfikëse pasi kanë bërë një punë heroike. Ne vizituam pak më parë edhe zjarrfikëset të cilët kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejtë në këtë situatë shpëtimi. Janë jashtë rrezikut për jetën. Një falenderim të veçantë për ta edhe për gjithë gatishmërinë e treguar”, shton ajo.