Vazhdon kampingu i të rinjve të LRI-së në Jalë, që organizohet vit për vit. Në një nga aktivitetet e shumta që po zhvillohen në kampin veror, mori pjesë edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha.
Ndërsa bashkëbisedonte me të rinjtë e LRI-së, Gjosha ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ç’do të thotë në të vërtetë i gjithë procesi i Bashkimit Evropian? E vërteta e saj është shtet-ndërtimi, gjë që i ka munguar Shqipërisë së gjithë këto vite. Ne kemi dalë nga një sistem komunist ku shteti ishte në dorë të një personi, ku institucionet ishin thuajse pa asnjë lloj funksioni por merrnin urdhra nga lart. Prandaj dhe Shqipëria ndër vite ka vuajtur shumë për të pasur institucione të pavarura, institucione të forta dhe që funksionojnë në bazë të ligjit.
Na intereson procesi për të forcuar institucionet tona për të pasur një sistem drejtësie të drejtë për çdo qytetar dhe për këdo, dhe për të pasur sa më shumë investime të huaja. Procesi për ne është jetik, shtetndërtimi për ne është jetik, arsimi është gjithashtu jetik”, është shprehur Gjosha gjatë këtij aktiviteti. (D.D/Shuplaka)