Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të enjte komunikimin me qytetarët përmes rubrikës së tij të përjavshme “Sy m’Sy”.
Rama ka reaguar ndaj akuzave dhe kritikave që i janë adresuar në lidhje me gjuhën e përdorur së fundmi, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe shpeshherë të nxitura nga qëllime keqdashëse.
Ai foli për një klimë dëshpërimi në diskursin publik dhe për keqkuptime të qëllimshme mbi gjuhën që përdor në deklaratat e tij. Rama theksoi se është i vetmi lider politik në Shqipëri që ka kërkuar ndjesë publike për një shprehje të papërshtatshme dhe hodhi poshtë akuzat për jetesë luksoze e korrupsion, duke i quajtur “dokrra pa prova”.
“Në anë tjetër ka një dëshpërim të thellë që pasqyrohet edhe në kënetat e pasqyrës mediatike ku pretendohet se jetohet në një autokraci, ndërsa nuk lihet gjë pa thënë për mua, PS, qeverinë apo edhe vetë popullin.
Flitet për gjuhën time që paskam thënë e paskam bërë gjëra që askush nuk i bën, por cilat janë këto? Akoma sot nuk e kuptoj se në cilat nga gjërat që kam thënë kam bërë gjë tjetër veçse kam komunikuar hapur me publikun. Ka qenë vetëm një gjë për të cilën kam kërkuar ndjesë, që ka qenë një gabim kur kam folur për autizëm politik, term i njohur në literaturën politike dhe akademike. Nuk e krijova për të lënduar dikë, por me të drejtë prej disa kohësh konsiderohet i papërshtatshëm.
Ma gjeni dot një tjetër udhëheqës politik shqiptar që ka kërkuar ndjesë? Unë nuk e di të ketë ndodhur.
Si shpjegohet që këta njerëz të cilët çdo natë çfarë nuk thonë flasin me një gjuhë ekstreme, unë personalisht jam shënjestra kryesore, kriminel hajdut çfarë nuk thonë pa asnjë provë, vetëm dokrra e llafe.
E pi verën 33 mijë euro. Lëshohet një fjalë në rrugë, pastaj përsëritet e kthehet në akuzë.
Unë mendoj se në ato që them kur përdor simbolika merrem me thelbin”, tha ai.