Gjykata ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të ankimuar vendimin e prokurorisë për zgjatjen e hetimeve me tre muaj të tjera. Në datën 10 mars do të dërgohet çështja në gjykatë ku do të merret edhe vendimi përfundimtar nëse do kalojë në gjykim, apo do mbyllen hetimet.
Në një deklaratë për mediat Tahiri u shpreh se gjykata pranoi kërkesën e tij për ankimim dhe shtoi se këtij procesi po i vjen fundi.
“Tani dhe për mua dhe për Prokurorinë po fillon numërimi mbrapasht. Gjykata pranoi kërkesën time, dhe mendoj se kemi kohë të mjaftueshmë që të mbyllen hetimet dhe për mua kam pasur durim dhe kam ende durim për të mos u shqetësuar asnjë çast. Të vërtetën time deri në gërmën e fundit me vjen mirë që jam në këtë moment.
Është e drejta e prokurorisë të bëjë si të dojë. Di që Gjykata më dha të drejtë deri në 10 mars. Nuk e shoh si lojë golash e shoh si mundësinë time për të marrë atë që më takon. Kam pritur pa folur që drejtësia të flasë. Ja vlen të presësh për atë ditë që vjen drejtësia. Ka rëndësi që kësaj maratone ti shkoj deri në fund.”– u shpreh Tahiri.