Një gomar shihet se si ka zënë një prej rrugëve të kryeqytetit këtë fillim jave në Tiranë. Sikur të mos mjaftonte trafiku i rënduar, një karakteristikë e qarkullimit rrugor në Tiranë, i shndërruar në makth për banorët kryeqytetas për më tepër, duhet edhe një kafshë pune, moskokçarëse në “shesh të mejdanit”.
Gomari, si duket i lodhur nga rruga, ashtu siç është mësuar të bëjë në fshat, ka vendosur të pushojë në asfaltin e një prej rrugëve të Tiranës, ndërkohë që pas tij rradha e katër-rrotëshave është zgjatur duke vështirësuar qarkullimin rrugor.
E kjo ndodh pikërisht në Tiranë, në Tiranën e mbytur me punë, me qarkullime të pafund automjetesh, me lëvizje të panumërta njerëzish që shpeshtojnë, ndërkohë që kryetari i Bashkisë nuk duket askund. As ai dhe as ndonjë që i duhet të mbajë përgjegjësi në bashki. Teksa kryebashkiaku kryen inspektime apo inaugurime në periferi të Tiranës, që synojnë të afrojnë këto zona me kryeqytetin, gomari s’vonon, por vepron. Vjen në qytet e bllokon trafikun.
(XH.A/SHUPLAKA)