Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari është shprehur e zhgënjyer me takimin e sotëm për Reformën Zgjedhore, ku tha se ka një dakordësi të fshehtë mes partive më të mëdha, që të merren vesh për çështjet e parëndësishme, por jo ato thelbësore si ndryshimi i sistemit.
Hajdari u shpreh e pakënaqur me ndryshimin e fashës mujore se kur mbahen zgjedhjet, dhe sipas saj përjashtimi i muajve të verës, bën që tiu mbyllet dera shqiptarëve të diasporës. Hajdari tha se ishte kundër rritjes së financimit publik për partitë politike në zgjedhje, që sipas saj është një shpërdorim i parave publike, pas pasur më pas një llogaridhënie.
Gjatë gjithë fjalës së saj, Hajdari përdori edhe termat pazar, dhe marrëveshje, njësoj siç ka bërë ditët e fundit dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, kur i është referuar forcave politike në vend, dhe përpjekjeve sipas saj për kapjen e Reformës Zgjedhore.
Rudina Hajdari flet pas takimit të Reformës Zgjedhore: I bëj thirrje Lulzim Bashës së bashku me PD që të mbështesin ndryshimin e sistemit zgjedhor, dhe ligjin për Referendumet. Nëse do të kishim një ligj për Referendumet, Teatri nuk do të ishte prishur. Këto janë dy mundësitë e tij, duhet të zgjedhi këtë propozim që mbështetet jo vetëm nga demokratët dhe shoqëria civile, por është dhe një hap përpara.
Zoti Lulzim Basha e ka veti që të shkojë në krahët e Edi Ramës, nuk është më koha që të merremi më me pazare dhe marrëveshje. Sot pati dakordësi për çështje fare pa rëndësi, anëtarët e Këshillit Politik ishin si vajzat e motit, që tregonin kushtet sesi duhet të ishte koha kur njerëzit duan të votojnë. Këta ja mbyllën derën diasporës dy herë, dhe unë nuk isha dakord me këtë. Kanë rënë dakord të dyja palët që të dyfishohen financimet nga buxheti i shtetit, paratë që vijnë nga taksapaguesit shqiptar, dhe nuk japin llogari sesi do të përdoren ato. (E.K/Faxweb.al)