Ekziston ndërkaq diçka për të cilën s’kam folur kurrë, por që e ruaj thellë në zemër si fyerjen më të pashlyeshme të jetës sime…
…Pas kësaj, ardhjet tona në Tiranë e humben gëzimin e mëparshëm. Dhe një ditë, kur sapo ishim kthyer nga Franca, Ismaili më thotë si pa të keq: «E di si është puna? Ne edhe pak kohe na mbetet për të jetuar. Do bëjmë si do bëjmë me këtë që na kanë bërë ketu. Ti mundohu të mos ia hedhesh sytë fare asaj gjeje përballë…» Po mire, ia ktheva, pse ky është ngushëllimi, vdekja jonë?
… Mira Kazhani: Duket sikur është dorëzuar. Mos është kjo një lloj frike nga vdekja? Helena Kadare: Duket absurde por kjo është e vërteta. E trajton punën e vdekjes si të jemi duke shkuar në pishine…kaq lehtë…
…Përkundrazi, ishte ai që e qetësoi vajzën time, me mirësinë e bukur që e karakterizon, duke i thënë që të mos çante kryet fare për to…
…Për të vdekurin ose fol me respekt, ose mos fol fare. Është një gjë e papranueshme ajo që po ndodh në këto rrjete që përmendni ju…
Mira Kazhani: Pse ju quan Beka ai?
Helena Kadare: Bebeka ka qenë emri im deri në moshën tre vjeç.
Madje kështu me thërresin ata të familjes edhe sot e kësaj dite. Më pas me pagëzuan me emrin e gjyshes nga babai, të cilën unë nuk e kam njohur: Elena. Kur botova romanin tim të parë në Paris në shtëpinë botuese «Stock», e pashë librin të shtypur me emrin Helena. Me pëlqeu dhe e mbajta.
Mira Kazhani: Po ju e thërrisni Is, si ne libër, zotin Kadare ?
Helena Kadare: Po jo… Is ishte vetëm për librin…që të mos e përmendja orë e çast me të gjithë emrin e tij të gjatë.
Mira Kazhani: Kam pare korrespondencën tuaj në libër, ku ju i drejtoheni me emrin Smill. Pse ky emër?
Helena Kadare: Ai erdhi me këtë emër nga Rusia. Ashtu e thërrisnin atje, ose e kishte gjetur ai vetë ashtu, për t’i shpëtuar emrit të vet Ismail. Madje provoi ta vinte dhe ne të parin libër me poezi që botoi në Moskë. Por në Shqipëri u prit keq kjo gjë, dhe ai u detyrua t’i shkruante një letër botuesit rus: Me falni, por ju kam dhënë pa dashje gabim emrin tim ! Quhem Ismail dhe jo Smill.
Mira Kazhani: Ka qene xheloz për ju ?
Helena Kadare: Jooo. Nuk e besoj !
Mira Kazhani: Kam vene re se e kërkon gjithandej praninë tuaj. Ka nevoje patologjike për Helenen ?
Helena Kadare: Nuk mund ta quaj patologji, por një nevoje për të patur pranë njeriun që e ndihmon…Ndihet mirë kur unë ndodhem aty pranë, kjo i jep siguri. Të paktën kështu e lexoj unë sjelljen e tij…Ndaj kurdoherë që dal nga shtëpia, jam në kafe me ndonjë miken time etj. jam e vëmendshme të mos e kaloj orën kur ai është duke me pritur në shtëpi.
Mira Kazhani: A nuk e humbisni durimin në ndonjë moment të caktuar dhe të thoni se sot për shembull do ta prish rregullin dhe do të rri sa të dua… dhe se fundja më në fund kam edhe unë një jetë?
Helena Kadare: Jo, nuk arsyetoj ashtu. Ndoshta kjo vjen sepse tërë jetën time e kam parë punën që ai bën si një gjë të shenjtë, që s’duhet trazuar me asgjë. Nuk e di. Asnjëherë nuk me ka braktisur admirimi për punën që ai bën. Pra të shkruarit. Por edhe kur është duke dhënë një interviste, duke marrë ndonjë çmim apo diçka të tillë, kam qenë përherë pranë tij. Duke e ndier se ai ka nevoje për këtë prani përse ta nervozoj me mungesën time?
Mira Kazhani: Në fakt edhe unë do të thoshja: Përse të mos e bej Helena këtë? Kush e ka fatin të jetojë me një njeri të madh, një gjeni që e respekton gjithë bota. Kujt i behet vonë për një orë më shumë me shoqen kur e gjithë jeta është një rruge e lavdishme.
Helena Kadare: Ah, e lavdishme! Me thënë të drejtën, nuk kam ndonjë prirje të veçante për të vrapuar pas “jetës së lavdishme”.
Të gjithë ata që më njohin e kanë vënë re fare mire këtë gjë. Është një shprehje që thotë se, një gram paqe vlen më shumë se një ton fitore. E ndritshme po, ashtu ka qenë jeta ime me të, por jo e lehtë.
Mira Kazhani: Pra keni patur një jetë të pazakonshme. Jam kurioze të di, kur keni bërë një pale pushime të paharrueshme?
Helena Kadare: Pushime të paharrueshme?! S’më kujtohet ndonjë tip i tillë pushimesh. Ka patur ditë të bukura, të gëzueshme kur vinim me vajzat në hotelet e bregdetit që kishte Shqipëria e asaj kohe. Por më duhet të pranoj se pas tri-katër ditëve të para nuk doja të rrija me atje. Ndejtja me orë në diell, nxihu, skuqu, shiko rerën, shiko detin, jo , nuk mund të them se është pushimi ideal për mua. Pushime të vërteta për mua janë ato në lëvizje, me një lloj aktiviteti brenda. Por në atë kohe nuk kishte kushte për gjera të tilla. Tani po, mund t’i biesh Shqipërisë kryq e tërthor e të gjesh plot vende të mahnitshme. Por ato duan energji, që ne nuk e kemi me… Të bukura dhe të qeta janë tani pushimet tona në shtëpinë të plazhit në Golem, në Malin e Robit, siç quhet vendi. Ti ke ardhur në shtëpinë tonë vëren e shkuar, apo jo ? Në verë mblidhet e gjithë familja, fëmijët me miqtë e mikeshat e tyre, ne me njerëzit tanë, familjarët kryesisht, por edhe miqtë që vijnë e na vizitojnë nga gjithë Shqipëria por edhe miq nga jashtë. Kanë ardhur botuesit e huaj, përkthyesit e shumtë librave të Ismailit nga Gjermania, nga Amerika, nga Rumania, nga Spanja, Italia etj. Në raste të tilla është gjithmonë gëzueshëm, vetëkuptohet.
Mira Kazhani: Cili është sekreti që të jesh e lumtur me një burrë? A mund të me jepni një këshillë sot?
Helena Kadare: Dhënia e këshillave është për mua gjeja më e padëshirueshme që mund të më kërkohet. Jam munduar të jem sa më e kursyer në këtë pikë edhe me vete vajzat e mija. Ismaili edhe më shumë se unë. Vajzat e mija i kanë bërë vetë zgjedhjet dhe rrugët e tyre në jetë. Me mençuri, me dinjitet, mendoj. Edhe kur kam dashur të filtroj ndonjëherë opinionin tim, këtë e kam bërë me shumë kujdes, pa i krijuar asesi mendimin se po ndërhyj në punët e tyre. Kur m’a kërkojnë ato vetë një mendim, ua jap me kënaqësi, pa ngurruar.
Ju me pyesni se çfarë duhet bërë që një marrëdhënie t’i rezistojë kohës. Për mendimin tim, mënyra më e mirë është që mos të kërkosh asnjëherë ta ndryshosh tjetrin sipas shijeve të tua. Personi që ke zgjedhur të ka joshur pikërisht me ato cilësi apo defekte që ai ka. Kur ke vendosur ta lidhesh jetën me të e ke marrë në sy këtë gjë. Pra pranoje kështu dhe respektoja individualitetin që ka. Në të kundërtën do humbasësh veten por edhe dashurinë. E them me bindje këtë.
Mira Kazhani: Çfarë ju bën përshtypje te vajzat/gratë shqiptare?
Helena Kadare: Unë njoh dhe kam lidhje me shumë gra dhe vajza shqiptare në Shqipëri; por edhe jashtë saj. Kuptohet, të parat rrijnë në zemrën time miqësitë e dikurshme, miqësitë e vjetra, të cilat i ruaj dhe i përkujdes me shumë kujdes. I qëndroj asaj shprehjes që thotë : Zër miq të rinj por mos harro të vjetrit. Të rinjtë janë prej argjendi, të vjetrit prej floriri. Por, rrethanat e kanë bërë që të njoh edhe shumë nga gratë e reja që sot kanë detyra dhe angazhime në jetën shoqërore shqiptare në vend. Këtu fus edhe gazetaret, koleget tuaja Mira, që, veç admirimit që më shkaktojnë kur i dëgjoj që flasin nëpër panelet televizive, po aq i vlerësoj në bisedat intime që kam me to. Një pjese e mire e tyre më befasojnë për mirë me kulturën që shpalosin, me mënyrën e të arsyetuarit, me qëndrimet e tyre, me gjithçka… Sikurse ndodh edhe mes nesh, mbaj me to lidhje të vazhdueshme dhe pasuruese për mua kur jam në Tirane, por edhe kur kthehem në Paris ; nëpërmjet telefonit, sms-ve dhe asaj shpikjes se bekuar, Ëhatsapp -it , që na i ka bërë gjerat aq të lehta në komunikim.
Tani t’ju them mendimin tim për vajzat shqiptare në të përgjithshmen e tyre, duke përfshirë këtu edhe ato që nuk i njoh. Jam shume e vëmendshme ndaj tyre ngaqë dua të kuptoj ecurinë e gjerave atje. Shoh një brez të ri, të ushqyer mirë, të veshur bukur e që deri diku sillen në mënyrë korrekte. Të gjithë e kanë vënë në dukje se vajzat shqiptare janë me të vërtetë bukuroshe dhe të shpenguara tanime… Është ky një brez që s’ka asnjë krahasim me brezin e rinisë sonë. A të ka rënë rasti të shohësh heroina të filmave të kohës së komunizmit? Me flokë si driza, të pa mirëmbajtura, veshjet, mos e pyet. Dhe të mendosh se po flasim për aktoret! Po ashtu edhe të folurit e tyre ka diçka që e kapërcen të qenit femëror. Duken të vrazhda, «që të tregojnë vendin » në çdo situatë… Me një fjale vajzat shqiptare sot janë të hijshme dhe kjo është e dukshme. Kam parë në disa shfaqje por edhe nepër intervista një aktore, që nuk kam patur rastin ta njoh personalisht. E kam fjalën për Ema Andrean. Shumë interesante, edhe intervistat e saj me pëlqejnë, për mendimet që përcjellin. Dhe me qe jemi tek pamja e tyre e jashtme, po ju tregoj një kuriozitet: Më kanë treguar se një amerikan nga Bostoni rrinte në një nga kafenetë e Tiranës dhe këqyrte vajzat që kalonin në trotuar. Ja si i komentonte ai: Bukur, bukur, bukur, jo bukur, bukur, bukur, bukur. Tek ne, shtonte ai, propocioni është ndryshe : bukur, jo bukur, jo bukur, jo bukur, buuukur…
Mira Kazhani: Po diçka që nuk e pëlqeni tek ato ka?
Helena Kadare: Meqë më pyesni, po jua them. Më bie rasti t’i shoh gati çdo ditë këto vajza në lagjen ku banoj në Tiranë, një lagje kjo plot lokale e kafenera, gjithmonë të mbushura plot me të rinj…, por që kjo është një temë tjetër. Është mëkat, mendoj, që janë aq të reja dhe aq të lyera… Tepër të lyera që në orët e para të mëngjesit. Më vjen nganjëherë dëshira t’iu them : Goca, jeni shumë të mira edhe të pa lyera kaq shumë, lëreni për më vone këtë trendi, ju keni rininë dhe freskinë e moshës që do t’ju bënte edhe me origjinale dhe më interesante se sa kështu të llangosura e të gjitha njësoj. Por ka edhe një kategori tjetër, më të emancipuar e më të përpunuar, këto të fundit, që shkojnë nëpër zyrat ku punojnë me një luks që e kapërcen qëllimin për të cilin bëhet. Nuk di, këtu ku jemi tani në të dyja dhe që është vendi i pranuar unanimisht nga gjitha bota si kulmi i modës, nuk e kam vënë re një gjë të tille…E vë re ti këtë gjë këtu? Ja, vështroi pak këto vajza e këto gra që kemi këtu përreth nesh. Është ora e drekës tani dhe shumica e tyre janë punonjëse të shtëpive botuese këtu afër. Sheh ndonjërën prej tyre të lyer ashtu? Nejse, gjithsesi kjo është çështje zgjedhjeje për secilën.
Mira Kazhani: Po vetë, si keni qenë në rini ? Jeni trukuar lehtë?
Helena Kadare: (qesh) Në rini nuk jemi trukuar fare, ne do që ta dish, jo vetëm unë por të gjitha moshataret e mija të asaj kohe. Për arsyen e thjeshtë se nuk ekzistonte asnjë produkt kozmetik, përveç sapunit. Me kujtohen fjalët e Vera Grabockës, njëzet e ca vite të shkuara, kur organizoi mis-in e parë shqiptar. Vajza që fitoi kishte përdorur bojën e këpucëve për të lyer qerpikët… E beson këtë? Sepse tregu ishte krejt i zhveshur nga këto gjera.
Mira Kazhani: Të pyeta për femrat, gratë shqiptare, por nuk të pyeta për meshkujt. Djemtë, burrat, janë zhvilluar ata në Shqipëri? Kur i shikoni këtu, por edhe nga televizori, çfarë shije ju lenë?
Helena Kadare: Natyrisht që ndihet ndryshimi. Ajo që bie në sy për keq është prirja e një shtrese të caktuar të djemve të rinj, ajo e parellinjve ,do të thoshja, djelmurina të pasur nga shkaku i prindërve që kanë dhe jo nga ndonjë meritë speciale e atyre vetë. Me habit kur i dëgjoj që flasin dhe nuk e kanë për gjë fare të shpalosin para publikut pa turp e pa droje një mirëqenie që çdo njeri me pak mend do ta vinte në pozite të vështire para moshatarëve, që nuk i kanë këto mundësi. Ose dhe para gjithë publikut që i sheh e i dëgjon. Nuk kuptoj, kujt i krekosen ata? Një populli me probleme ende të rënda jetike? Perse e bëjnë, ju jep kënaqësi perverse kjo gjë? Dëgjo Mira, ka 26 vjet që jetoj në perëndim dhe mund të them se kam parë shtresa nga më të ndryshmet të shoqërisë franceze, me një nivel të konsoliduar mirëqenieje, po kurrë, asnjëherë nuk kam arritur të kuptoj, se jashtmi së paku, se kush është i pasuri dhe kush është i varfëri. Në boten e qytetëruar këto gjera nuk thuhen kurrë haptazi. Sepse është turp, është e papranueshme mburrja për gjëra të tilla.
Mira Kazhani: Cila është merita e një burri të vërtetë?
Helena Kadare: Për mua është integriteti që ai ka. Shtoi kësaj edhe gjenerozitetin shpirtëror, e kam fjalën. Njerëzit e këtij lloji, për fat të keq, në kohët që jetojmë sa vijnë e po rrallohen. Por kjo nuk do të thotë që mungojnë. Për mendimin tim, djemtë dhe burrat shqiptarë, të kuptohemi, ata që e kanë në gen dhe që janë të pajisur me vlerat e qytetërimit, (dhe fatmirësisht po i vijnë Shqipërisë) janë më superiorë se në këtë botën këtej. Nuk pretendoj se i njoh të gjitha shtresat, për të cilat po flasim, por ka midis tyre djem të zot me kualitete shpirtërore, që vlejnë 100 herë më fort se shumica e parellinjve që ka bota sot. Vajzave që njoh iu them shpesh : Zgjidhni dhe merrni burra shqiptarë.
Mira Kazhani: Përse?
Helena Kadare: Vërej raportet mes njerëzve, kryesisht midis çifteve këtu ku jemi tani. Rasti e bie të jemi të ftuar nëpër shumë darka, dreka dhe evente të ndryshme. Në fillim habitesha se si ishte e mundur që ishin kaq të sjellshëm me njëri-tjetrin, kaq të dashur, kaq të përzemërt e të respektuar mes tyre. Më bënte përshtypje se sa bukur silleshin burrat me gratë e tyre, si i drejtoheshin partneres pa e hequr nga goja fjalën «cherie» (e dashur) etj.etj. Dhe normalisht ashtu janë. Por një mbrëmje, në një darke, kur ia shpreha këtë habi një mikeshës sime, ajo më tha : Madame Kadare, kjo sjellje bën pjesë në edukatën tone. Për shembull: ai çifti që juve iu bëri aq përshtypje për harmoninë që shpalos në publik , aktualisht janë në seancë divorci… Kam nxjerrë dhe një përfundim të përgjithshëm për njerëzit : Kurrë nuk janë njerëzit ashtu siç duken. Këtu, por edhe atje tek ne… Duhet t’i njohësh ata nga afër, të kesh kontakte në vende dhe në rrethana të ndryshme, për të nxjerrë konkluzione të sakta, por që edhe ato, nuk janë përherë të pagabueshme.
Mira Kazhani: Vajzat tuaja kanë përfituar nga mbiemri që kanë?
Helena Kadare: E madhja kurrsesi jo. Ajo është e drejtuar nga shkencat, është kërkuese shkencore dhe pedagoge në universitet njëkohësisht. Të gjithë pedagogët që ajo ka patur dikur në Tirane mund ta konfirmojnë se çfarë studente ka qenë ajo. Gjithçka që ka bërë e ka bërë vetë në jetë. Dhe për këtë ndihem shumë krenare.
Mira Kazhani: Po Besiana?
Helena Kadare: Ndryshe nga Gresa që është e qetë dhe e përmbajtur në gjithçka, Besiana në të kundërtën është eksplozive dhe energjike. Ajo ka një këmbëngulje të pabesueshme e të palodhur për t’i çuar gjerat përpara. Këtë e tregon më së miri puna që bën tani. Përkushtimi i saj për ta bërë sa më mirë detyrën që ka si përfaqësuese e Shqipërisë në Neë York është diçka që na e mbush zemrën me gëzim, sidomos kur dëgjojmë komentet që vijnë për të nga drejtime të ndryshme. Në fillimet e saj, ajo nuk donte të identifikohej me emrin e të atit. Donte ta krijonte vetë profilin e saj. Por tani që punon në diplomaci, e kupton qartë se si i hapen dyert sapo del se vajza e kujt është. Ndaj nuk ka arsye më ta shmang mbiemrin që mban.
Mira Kazhani: E pamundur të shkojmë më tej pa dale te Kadareja. A bezdiset nga fama e mbiemrit të tij ai vetë?
Helena Kadare: Me thënë të drejtën, po. E bezdis dhe e lodh. Unë vetë mendoj se, duke e pasur këtë njohje qysh në moshë të re, me kalimin e viteve duhet që ta ketë lodhur. Edhe pse asnjëherë s’e kam parë të joshet prej saj. Ka me mijëra raste, madje edhe në vende të huaja kur kemi qenë bashke, që e njohin nga fytyra, (ka një portret që identifikohet lehtë), që e ndalojnë në rrugë, i kërkojnë autografe apo foto me të, e të tjera si këto. Ai i bën, por i duket qartaz në fytyrë bezdia që ndien. Ndaj dhe përpiqet me sa mundet t’i shmangë. Dhe më beso, nuk është e lehtë. Ka shumë vite tashmë qe i ka prerë shëtitjet në breg të detit, atje ku në shkojmë çdo vit gjatë verës. Janë të shumë njerëzit, e sidomos shqiptarë nga Kosova, që vijnë t’i japin dorën, të bëjnë një selfie me të, siç i thonë tani. Ka dy rrugë, ose atij do t’i duhet të mos ia prishi askujt, t’i nënshtrohet këtyre «selfijeve», pra ta ndërpresë në çdo hap shëtitjen, ose të mos dalë fare në bregdet. Ka zgjedhur këtë te dytën. Në breg dal unë e ai shëtit në pyll, brenda gardhit të shtëpisë…
Mira Kazhani: A ju pëlqen teknologjia ? Vura re me kënaqësi, se në komunikimet qe kemi shkëmbyer nëpërmjet Ëhatsapp-it i përdorni lirshëm emoji-t. Si do t’i quante Kadare emoji-t në shqip ?
Helena Kadare: Ai as që ua hedh sytë fare atyre. Me to merrem vetëm unë. Po, është e vërtetë se teknologjia me pëlqen. Nuk e kam hiç të lehte t’i mësoj tërë ato marifete, qe të rinjtë tani i dijen me sy mbyllur, por mbesa ime e ëmbël, Doruntina, m’i shpjegon me durim dhe unë përpiqem t’i mësoj sipas udhëzimeve të saj.
Mira Kazhani: A ka një shok të ngushte Kadare?
Helena Kadare: Sigurisht që ka. Për komunikimet me ta ai përdor shumë telefonin.
Mira Kazhani: Po ndonjë shoqe të ngushte ? A ka patur shoqe të ngushte ai ?
Helena Kadare: Ka patur dhe vazhdon të ketë. Ismaili është shumë i përkorë në miqësitë me femrat. E çmon shumë miqësinë e tyre dhe sillet me to me një sinqeritet çarmatosës. Gjithkush që gëzon miqësinë e tij, mund ta aprovoje pa mëdyshje këtë që po them. Ndaj edhe ato i rrëfehen atij me besim të plotë, të sigurta që kurrë nuk do t’iu shpërdorohet ky besim.
Mira Kazhani: Çfarë është një gjë që i pëlqen. Qe ju e dini që e qetëson, ia ul nervat nëse është në ndonjë ditë jo të mirë, çfarë e zbut atë?
Helena Kadare: Ai kënaqet dhe i qesh fytyra kur unë i tregoj « bëmat » e Adrianit të vogël, që m’i thotë Gresa mbrëmjeve kur flasim në telefon. Një gjë tjetër që ia çel fytyrën është sa herë që i vjen një lajm i mire nga Shqipëria. Miqtë dhe shokët që ia dine këtë merak, nxitojnë ta marrin në telefon sapo kanë diçka të tille për t’i thënë. E gjithë gjendja e tij shpirtërore ndryshon për të mirë.
Mira Kazhani: Pse nuk u bë President kur e deshi kaq shume Shqipërinë?
Helena Kadare: E ka shpjeguar kaq herë ketë, unë gjithashtu e kam treguar në «Kujtimet» që kam shkruar. Nuk ishte i prerë për këtë punë ai. Do të kthehej shumë shpejt në një autoritar. Nuk i respektoj dot rregullat që kërkon demokracia, thoshte. Përpara një akti kriminal që duket sheshit, do merrja masa ekstreme, pa pritur gjykatësit dhe avokatët e tyre. Dhe që në këtë çast kishte për të marrë fund edhe demokracia…
Mira Kazhani: Ai thotë se nuk i behet vonë për çmimin Nobel. Po ju Helena?
Helena Kadare: Ka ardhur një moment që atij asgjë nuk i bën më përshtypje, Mira. Ishte tani vonë dekorimi i tij me urdhrin më të lartë të Francës, dhënë nga Presidenti Hollande. Të të tregoj peripecitë që kam kaluar më të për këtë shkak nuk do t’i besosh. Ishim në Tiranë në dhjetor dhe me merr në telefon sekretari i Presidentit Hollande për të saktësuar disa pika për fjalën që do të mbante Presidenti me këtë rast. Ndërsa unë i përgjigjesha, Ismaili që ndodhej aty dhe dëgjonte, filloi të tregonte shenja padurimi nga gjatësia që po merrte biseda, dhe më bënte me shenje që « mjaft, tani, boll ». Për t’i shpëtuar padurimit të tij, u futa në kuzhine dhe mbylla derën që mos ta kisha si presion mbi krye. Sepse tjetri vazhdonte të pyeste dhe unë natyrisht vazhdoja t’i përgjigjesha. Kaq. Kulmi arriti kur u kthyem në Francë. « Ishalla e harrojnë atë ceremoninë ! » , me tha papritur një ditë.
Mira Kazhani: Perse nuk donte ?
Helena Kadare: Sepse është i lodhur nga gjërat publike. Megjithëse, me thënë të drejtën, asnjëherë s’ka qenë pasionant i çmimeve, i nderimeve e më tej. I dukej një mundim i madh të dilte atje, të mbante një fjalë të shkurtër apo t’u jepte dorën gjithë të pranishmeve… Duket si diçka anormale, por kjo është e vërteta. Gjithë ne të tjerët ishim të gëzuar, vetëm ai ishte pa qejf. Duke hyrë në oborrin e Elizesë, mbaj mend se si Inva Mula erdhi drejt nesh me fytyrë të ndritur: Jam nisur sot që në katër të mëngjesit nga Tirana, tha duke buzëqeshur. Dhe ai : « E pse e bëre këtë ? ». Për kënaqësinë time, për të qenë me ju, ia priti ajo. Dhe ai prapë : E çfarë kënaqësie! Kot u lodhe! Ajo mbeti e hutuar. Dhe kishte të drejtë.
Mira Kazhani: Duket sikur është dorëzuar. Mos është kjo një lloj frike nga vdekja?
Helena Kadare: Jo. Përkundrazi, tani ai edhe vdekjen e ka kthyer në favor të tij. Për çdo gjë që s’i pëlqen, përgjigjen e ka gati: Punë e madhe! Ne do vdesim, s’kemi pse e çajmë kokën kaq shumë! Dhe mesa duket, kjo mënyrë e relativizimit të gjërave e qetëson. Por më e habitshmja është se, si gjithnjë, ma ka injektuar edhe mua këtë perceptim. Se si e se qysh unë nuk e di. Ai njeri ka një aftësi të çuditshme për të të mbushur mendjen edhe kur s’je i një mendjeje me të. Më ka qëlluar shpesh të them më pas: Po si arriti të më bind ? Unë s’mendoja ashtu! Po të tregoj diçka të këtyre kohëve të fundit: Apartamenti ku banojmë në Tiranë ishte një nga gëzimet tona kur ktheheshim në Shqipëri. Pamja që hapej përpara dritareve tona, me malin e Dajtit përballë ishte diçka fantastike. Qysh në mëngjes apartamenti mbushej me një drite hyjnore, do të thosha, nga lindja e diellit prapa malit. Dhe pa pritur e pakujtuar, brenda tre muajve që ne s’ndodheshim aty, para dritareve tona u ngrit një ndërtesë 22 katëshe !! Një përbindësh katër-pesë metra para nesh. Themelet e këtij pallati kishin 15 vjet që rrinin të « heshtura » aty poshtë. Një ditë na thirri për drekë ambasadori zviceran, që është ngjitur me këtë ndërtim, për te na treguar zymtësinë ku kishte rënë rezidenca e tij. Shteti zviceran e kishte blerë atë vile pasi kishte marre garancinë që ai pallat, jashtë të gjithë standardeve ligjore, s’kishte për t’u ngritur. Por ja që s’ndodhi ashtu. « Shikoni ç’ errësirë është bërë këtu tek unë ,na tha i dëshpëruar. Ne tani jemi të detyruar që natë e ditë të rijmë me drita elektrike të ndezura ». Pas kësaj, ardhjet tona në Tiranë e humben gëzimin e mëparshëm. Dhe një ditë, kur sapo ishim kthyer nga Franca, Ismaili më thotë si pa të keq: « E di si është puna ? Ne edhe pak kohe na mbetet për të jetuar. Do bëjmë si do bëjmë me këtë që na kanë bërë ketu. Ti mundohu të mos ia hedhesh sytë fare asaj gjeje përballë…». Po mire, ia ktheva, pse ky është ngushëllimi, vdekja jonë?
Mira Kazhani: Çfarë thua?!
Helena Kadare: Duket absurde por kjo është e vërteta. E trajton punën e vdekjes si të jemi duke shkuar në pishine…kaq lehtë.
Mira Kazhani: Po e lëmë këtë temë të pakëndshme. Kur me thatë se e doni teknologjinë desha t’ju pyes: A i ndiqni të gjitha ato që shfaqen nëpër internet? Ka aty komente nga shqiptare që, për turp të dheut, e snobojnë Ismail Kadarenë? Ju lëndojnë ato?
Helena Kadare: Sikurse e thatë edhe ju, është diçka e shëmtuar. Mua personalisht më trishtojnë pa masë. Më trishtojnë se ti del dhe shkruan diçka në shtyp me emrin dhe mbiemrin tënd. Ai komentuesi banal trimërohet me një pseudonim. Natyrisht qe ai ka të drejtë të mendojë si t’ia dojë qejfi e t’i shprehë mendimet e veta pastaj nëpër komente, po ama le të vëjë dhe emrin e tij aty poshtë dhe jo të futet prapa gardhit dhe të leh ashtu, siç bëjnë gjithë frikacakët.
Mira Kazhani: Çfarë ka qenë një fyerje e madhe për ju nga komentuesit anonime, nga këta «prapa gardhit», siç i përcaktuat me të drejtë?
Helena Kadare: Ka plot gjera që të lëndojnë. Midis tjerash ka qenë dhe që vazhdon të jetë ajo shprehja që me demek e paskësh thënë Ismaili : «jashtëqitja e kombit », që mirret e tirret pa pushim nga blogu në blog nga dashakeqësit e tij. Nuk ka asnjë tubim, mbledhje, forum, TV, apo radio që Ismaili të ketë thënë një gjë të tille. Asgjëkund. Ai vetë e ka sqaruar kaq herë këtë gjë, por ata që këmbëngulin e bëjnë thjesht nga një ligësi e brendshme, që s’di se çfarë emri t’i vësh. Por siç thotë Chateaubriand, duhet dhënë me kursim përbuzja sepse ka shumë nevojtarë për të…
Mira Kazhani: Po diçka tjetër që ju ka lënduar?
Helena Kadare: Ekziston ndërkaq diçka për të cilën s’kam folur kurrë , por që e ruaj thellë në zemër si fyerjen më të pashlyeshme të jetës sime. Dhe që s’do ta fal kurrë sikur edhe 200 vjet po të jetoja! Është fjala për vajzën time, të madhen, Gresën. Është bërë një emision i tërë televiziv për një histori të jetës së saj private, kur ajo nuk ishte veçse 16 vjeç. Pas 30 e kusur vjetësh studioja në fjale, më një lidhje direkte speciale me kontinentin tjetër, një specialitet i ri ky në Tirane, i pa përdorur as me pare e as me pas, komenton si pa të keq jetën private të një gruaje të martuar, nënë e dy fëmijëve, që s’kishte kandiduar, të themi, as për t’u bërë deputete as për kurrfarë posti aty! Me siguri edhe ju e keni parë. Në atë periudhe unë ndodhesha në Tiranë. Dhe thashë me vete: Si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë? Ç’të drejtë ka kjo studio të marrë nëpër këmbë jetën e një gruaje, që s’ka bërë asgjë të veçantë? Ishte e qartë që kjo ndërhyrje bëhej me një qëllim të caktuar: që asaj gruaje t’i prishej jeta familjare. Natyrisht për të dëmtuar, në radhë të parë, të atin e saj. Ndryshe nuk kishte tjetër shpjegim.
Mira Kazhani: Po ju si reaguat meqenëse ishit këtu?
Helena Kadare: Për fat të mirë, Gresa ka një bashkëshort të mrekullueshëm që as i hyn farë këtyre gjerave. Përkundrazi, ishte ai që e qetësoi vajzën time, me mirësinë e bukur që e karakterizon, duke i thënë që të mos çante kryet fare për to. Me thënë të drejtën, atë mbrëmje mendimi im i parë shkoi te prindërit e tij, që me siguri ishin duke e ndjekur këtë emision të mjerë. Ma merr mendja se duhet të ketë qenë një ditë e hidhur për ta.
Mira Kazhani: Dhe së fundi, një pyetje për një ngjarje të ditëve të fundit në Tiranë. Dritëro Agolli u nda nga jeta dhe, meqenëse po flisnim për rrjetet sociale, desha t’ju pyes për komentet që po bëhen këto ditë lidhur më të. Si i shihni ato?
Helena Kadare: Populli ynë ka një shprehje të goditur për këtë: Për të vdekurin ose fol me respekt, ose mos fol fare. Është një gjë e papranueshme ajo që po ndodh në këto rrjete që përmendni ju. Nuk e kuptoj, kaq shumë ka rënë poshtë morali tek njerëzit tanë që i vërsulen në këtë mënyrë edhe një të vdekuri?! Nuk di ç’mund të them më tepër. Përveç trishtimit që më shkakton, nuk gjej fjalë tjetër.
Mira Kazhani: Cilat kanë qenë raportet tuaja me Sadijen ? Ju keni qenë edhe komshinj për një periudhë shumë të gjatë.
Helena Kadare: Të jesh komshi me dikë nuk është ndonjë kusht i domosdoshëm për të pasur raporte perfekte. Ndaj do të shtoja këtu që unë me Sadijen s’kemi qenë vetëm «komshinj» , por shumë me tepër se kaq. Ne kemi studiuar bashkë në fakultet, kemi fjetur një vit të tërë në një dhome të konviktit të qytetit të studentëve, kemi pasur marrëdhënie të ngrohta, por unë u martova po atë vit dhe u largova nga konvikti. Edhe pse e larguar marrëdhëniet tona kanë vazhduar normalisht si dy shoqe të mira. Shumë më vonë u bëmë edhe komshinj, duke banuar në të njëjtin pallat. Por jetët tona ishin të mbushura me aktivitete të ndryshme të një jete jo aq të lehtë, siç ishte jeta e të gjitha grave shqiptare të asaj kohe. Kështu, nuk patëm kohë ta kultivojmë edhe më tej miqësinë tonë. Por, raportet tona mbeten korrekte,siç vazhdojnë të jenë edhe sot e kësaj dite që po flasim. Në të dyja flasim shpesh në telefon, që këtej nga Parisi, por sidomos kur jemi në Tiranë. /tirana post.al