Një javë pas skandalit të tenderit të byzylykëve pranë mbikëqyrjes elektronike të të dënuarve ministri Gazmend Bardhi depoziton në prokurorinë e Tiranës kallëzim penal për bashkimin e operatorëve fitues të tenderit dhe ish sekretaren e përgjithshme të ministrisë së Drejtësisë.
Sipas ministrisë kallëzimi penal është bërë ndaj firmave Fastech, Ratech dhe Soft Solution si dhe ndaj ish sekretares së kësaj ministrie Juliana Hoxha pasi është personi që ka firmosur kontratën me kompaninë fituese, shkruan ”Report Tv”.
Ky kallëzim i ministrisë vjen në përfundim të hetimit administrativ të kryer nga ministria e cila prej dy ditësh ka marrë në dorëzim byzylykët e dorëzuar nga kompanitë fituese.
Por vetë ministria një ditë më parë sqaroi se fimrat fituese Fastech, Ratech dhe Soft Solution nuk ishin paraqitur për të kryer testimin e këtyre pajisjve të dorëzuar ministrisë.
Tenderi për këtë shërbim dhe 300 byzylykët u bë në fillim të vitit 2017 ku në një vlerë prej afro 2 milion euro u shpallën fitues tre operatorët ekonomik.
Pas kaq ditësh ende mungon një përgjigje zyrtare për procesverbalin e marrjes në dorëzim apo funksionimit të byzylykëve për të kuptuar sa prej tyre janë funksional vendosur tek të burgosurit, sa prej tyre janë të dëmtuar dhe sa prej tyre u kthyen nga firma tek ministria e drejtësisë.
Ministri: Prokuroria duhet ti japin një përgjigje skandalit
Ndërkohë i kontaktuar nga “ReportTv”për kallëzimin ministri Bardhi u shpreh se tashmë është prokuroria dhe policia ajo që duhet ti japin një përgjigje të shpejtë këtij skandali dhe ai do të ketë një komunikim me mediat në mesditë.
Përplasja mes ministrit dhe sekretares para zgjedhjeve
Pak ditë para zgjedhjeve mes ministrit dhe sekretares Juliana Hoxha u regjistrua edhe një incident, pasi Bardhi e pezulloi nga detyra dhe nuk lejoi që kjo e fundit të hynte në institucion.
Konflikti Bardhi-Hoxhaj nisi pas kërkesës së ministrit për të pezulluar numrin dy të Drejtësisë, me pretendimin se ajo kandidon për deputete në zgjedhjet e 25 qershorit si përfaqësuese e listës së PS në Qarkun e Tiranës dhe përfshirjes në fushatën zgjedhore.