Një histori e rrallë përndjekje është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Tiranës, e cila ka mbyllur shqyrtimin e gjyqësor të dosjes në ngarkim të 60-vjeçarit. “I pandehuri Hasan G. akuzohet se prej tre vitesh ka shqetësuar vazhdimisht ish- të dashurën e tij, pavarësisht se me të është ndarë 36 vjet më parë.”, shkruan “Panorama”.
Duket se as 36 vite dhe as familjet që i pandehuri dhe e dëmtuara me iniciale M. H. kanë krijuar nuk kanë mjaftuar që 60-vjeçari të harrojë këtë histori dashurie të së shkuarës. E bezdisur dhe frikësuar nga përndjekja dhe kërcënimet si “Do ta shkatërroj jetën”, e dëmtuara ka depozituar kallëzimin e saj penal. Por as ky kallëzim, as ndërhyrja e familjarëve të saj që kanë kontaktuar me të vëllanë e të pandehurit, nuk e kanë penguar 60-vjeçarin.
Mësohet se anëtarët e familjes të së dëmtuarës, kanë takuar edhe djalin e 60-vjeçarit Hasan G. që u ka kërkuar falje dhe ka premtuar se do të ndërhynte, por edhe përpjekjet e tij kanë rezultuar të pasuksesshme. 60-vjeçari, hakmarrës ndaj dashurisë së shkuar, është dënuar me 1 vit e 4 muaj heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit. Si përfundim, ai do të vuajë 10 muaj e 20 ditë burgim.
Discussion about this post