Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, ka dalë këtë të enjte përballë një gjykate londineze ku është shprehur kundër ekstradimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një lidhje të drejtëpërdrejtë me video për Gjykatën e Uestministër nga një burg i Britanisë, Assange deklaroi se nuk donte të “dorëzohej për ekstradimin, për shkak se kishte bërë punë gazetarie, për të cilën ka fituar një numër çmimesh dhe ka mbrojtur shumë njerëz”.
Akuzat që rëndojnë ndaj Assange dhe për të cilat mund të shpallet fajtor me pesë vite heqje lirie, janë komplot për sulm ndaj kompjuterave të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Ai mund të akuzohet se në bashkëpunim me ish-analisten e zbulimit të ushtrisë amerikane Chelsea Manning, kanë tentuar të kenë akses tek kompjuterët e Pentagonit në mars 2010.
Manning kreu disa vjet burg për dhënin e dokumenteve sekrete kompanisë WikiLeaks, ndërsa pak pas lirimit u burgos përsëri në mars, pasi refuzoi të dëshmonte para një jurie të madhe që hetonte organizatën.
Ben Brandon, avokati që përfaqëson Shtetet e Bashkuara, deklaroi këtë të enjte se dokumentet mendohet të jenë shkarkuar nga një kompjuter me materiale sekrete në SHBA. Në këto dokumenta përfshihen dhjetra mijëra raportime nga luftërat në Afganistan dhe në Irak, dhjetëra mijëra kabllo të Departamentit të Shtetit dhe qindra vlerësime të të burgosurve në qendrën e ndalimit Guantanamo Bay.
Mirëpo shqetësimi i Assange nuk qëndron në faktin se mund të dënohet për komplot, por në problemin se në SHBA, atë mund ta akuzojnë për krime të tjera, më serioze.
Assange është dënuar me 50 javë burgim për shkeljen e masës së dënimit me kusht ndërsa ishte i fshehur në ambasadën e Ekuadorit në Londër për shtatë vjet derisa policia e mori atë në dorëzim në prill të këtij viti. Assange kërkoi strehim në ambasadë në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku do të përballej me një akuzë për përdhunim, të cilën ai kategorikisht e ka mohuar.
Discussion about this post