Sot në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, fillon procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe tre ish zyrtarëve të tjerë, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit fillon më 3 prill.
Që të gjithë akuzohen për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje, dhe zhdukje me forcë të personave. Sipas prokurorisë, krimet e pretenduara, janë kryer midis afërsisht marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri.
Qe të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat që në paraqitjen e parë para gjykatës në nëntor të viti 2020 dhe sërish në maj të vitit 2022 kur u përballën me ndryshim të akuzës që përfshinte edhe zona tjera ku prokuroria pretendon se janë kryer krime.
“Amendamentet tuaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj por nuk kam arrit prandaj edhe nuk i kam kuptuar. Deklarohem i pafajshëm”, tha Hashim Thaçi.
“I kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh edhe pozitën dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtij gjyqi të nderuar. Deklarohem i pafajshëm”, tha Kadri Veseli.
“I kam lexuar dokumentat, aktakuzën edhe këtë shtesën e fundit dhe mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin pasi jam i bindur se veprat e tilla kurrë nuk i kam kryer në jetën time, prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm”, tha Jakup Krasniqi.
“E kam lexuar dhe kam kuptuar dhe pohoj edhe njëherë se nuk kam të bëj asgjë me krimet dhe as me akuzat e prezantuara në aktakuzë”, tha Rexhep Selimi.
Procesi që pritet të fillojë mëngjesin e së hënës pritet të jetë i gjatë. Prokuroria e Posaçme tha se synon të përmbyllë pjesën e saj deri më 1 prill të vitit 2025 dhe gjatë kësaj kohe do të paraqesë mbi 312 dëshmitarë. Prokuroria pretendon se viktimat, rreth 100 syresh janë serbë, shqiptarë dhe romë të Kosovës.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999. Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare. Por kjo gjykatë nuk trajton asnjë rast të krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe dhe kritikët e cilësojnë atë si gjykatë njëetnike.
“Sepse deri në këtë pikë të gjithë individët që janë akuzuar janë shqiptarë të Kosovës, nuk ka pasur ende ndonjë serb të akuzuar nga kjo Gjykatë për asgjë që ka ndodhur gjatë ofensivës së tyre të viteve 1998 – 1999 dhe siç me siguri i dini vuajtjet që u janë shkaktuar shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998 – 1999 janë shumë të mëdha, shumë zemërthyese, por askush nga regjimi serb nuk është akuzuar për to nga kjo Gjykatë, dhe me asgjë tjetër nga kjo Gjykatë në fakt”, tha Gregoru Kehoe, avokat i ish presidentit Thaçi.
Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë më seli në Hagë ndoqi penalisht ish udhëheqësin serb Slobodan Millosheviç dhe gjashtë zyrtarë të tij të lartë për krime të kryera në Kosovë, duke dënuar pesë prej tyre. Vet Slobodan Millosheviç vdiq në Hagë, ndërsa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë Kosovën.
Para asaj gjykatë dolën po ashtu gjashtë shqiptarë të Kosovë, katër prej të cilëve u liruan si të pafajshëm, përfshirë ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj që u shpall dy herë i tillë.
Disa dhjetëra raste janë trajtuar në Gjykatën e Lartë të Serbisë për krime lufte, por të pakta janë rastet kur proceset janë mbyllur më dënime.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendase apo ndërkombëtare i kanë dënuar 72 persona për krime të luftës, pjesa më e madhe tyre shqiptarë të Kosovës.
Në Kosovë çështjet e krimeve të luftës janë trajtuar nga gjykatat e misionit të Kombeve të Bashkuara, Gjykata për Krime Luftë në ish Jugosllavisë, gjykatat vendase dhe gjykatat e udhëhequra nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit. Për avokatin e zotit Thaçi nuk ishte e domosdoshme të krijohej edhe një gjykatë e posaçme për Kosovën.
“Unë nuk besoj se ishte e nevojshme, mendoj që gjykatat në Kosovë ato që i përmendët, UNMIK, EULEX, gjykatat vendëse po ndiqnin këto krime dhe një numër njerëzish ishin ndjekur penalisht e ishin dënuar, kishin shkuar në burgje për krime që kanë ndodhur atje. Tingëllon paksa e çuditshme që është dashur ta çojnë këtë Gjykatë jashtë Kosovës e ta sjellin në Hagë, por ata që e kanë marrë këtë vendim e kanë bërë për arsye të tjera. Por a mendoj unë se kjo mund të përfundonte në Kosovë, duke filluar nga vitet 2000 e tutje, përgjigja është po”, tha avokati Kehoe.
Deri më tani Gjykata e Posaçme dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Aktualisht është në proces e sipër gjyqi kundër ish pjesëtarit të kësaj ushtrie Pjetër Shala.
Gjyqi i sotëm është rasti i profilit më të lartë në këtë gjykatë. Katër të akuzuarit ishin drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pas luftës u shndërruan në politikanë të rëndësishëm. Zoti Thaçi u zgjodh kryeministër në vitin 2007 disa muaj para se Kosova të shpallte pavarësinë e saj.
Në fillim të nëntorit të vitit 2020 ai po shërbente në postin e presidentit nga i cili dha dorëheqje për t’u përballur me akuzat në Hagë.
Jakup Krasniqi e Kadri Veseli shërbyen si drejtues të parlamentit të Kosovës dhe udhëheqës forcash politike, ndërsa Rexhep Selimin akuza e gjeti në krye të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje partisë që aktualisht qeverisë me vendin.
Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Vjeshtën e vitit të kaluar Shqipëria i kërkoi Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të rishqyrtojë rezolutën e mbështetur në raportin zotit Marty. Kryeministri shqiptar Edi Rama tha në tetor para Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës se spastrimi etnik i Milosheviçit në Kosovë shkaktoi mijëra të vrarë e të zhdukur dhe qindra mijëra të shpërngulur.
“NATO dhe bashkësia ndërkombëtare ndërhynë dhe paqja u vendos. Por institucionet evropiane humbën busullën dhe pranuan pretendime të paqena, nga kujtimet e ish prokurores Carla del Ponte, e deri tek mocione nga diplomatë rusë e serbë, që arritën të futnin në një raport të KE për gjoja trafikim të organeve njerëzore, një lajm i rremë me akuza të turpshme”, tha ai.
Dhe pretendimet e tilla nuk janë përmendur në asnjërën nga akuzat e ngritura kundër ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.