Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë mësohet se ka nisur hetimin dhe kontrollin e plotë për deklaratat e interesave private të Kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA), Gentian Sala.
ILDKPKI informon se kryerja e hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët e tij, bashkëshorten, fëmijët, e të tjerë persona të lidhur.
“Nisur nga njoftimet në media në lidhje me pasurinë e zotëruar nga Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, Z. Gentian Sala dhe nga bashkëshortja e tij Znj. Dorela Sala, Inspektori i Përgjithshëm bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private të subjektit Gentian Sala” citohet në njoftimin për media.
Mësohet se objekt i kontrollit do të jetë edhe gjendja e konfliktit të interesit. ILDKPKI ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shkurtër. (XH.A/SHUPLAKA)