Gigi Buffon ishte më i nervozuar se të gjithë, me penalltinë e vërshëllyer nga arbitri në sekondat e fundit të takimit, që më pas u dërgua në rrjetë nga Ronaldo dhe la bardhezinjtë jashtë Championsit.
Portieri dhe kapiteni i Juventusit, i cili me shumë gjasë e kishte mundësinë e fundit për të synuar Championsin, nuk u përmbajt në protestën ndaj arbitrit, duke u ndëshkuar edhe me karton të kuq, e mos pasur mundësi të tentojë pritjen e penalltisë.
Menjëherë pas ndeshjes, Buffon tha se arbitri duhet të kishte më shumë guxim dhe të mos vërshëllente një episod, që për portierin e bardhezinjve ishte shumë i dyshimtë.
“Për të gjykuar në të tilla nivele, duhet të jesh i guximshëm. Nëse gjyqtari nuk ka personalitet, dhe nuk e bën dot diçka të tillë, le të qëndrojë në tribunë me familjen, të blejë patatina dhe të shijojë shfaqjen. Ky arbitër është si një kosh mbeturinash, duhej ta kuptonte katastrofën që po bënte. Nuk mund të vërshëllesh për një episod të dyshimtë, në sekondat e fundit, pasi vret ëndrrat dhe shpresat e shumë njerëzve. Duhet më shumë përgjegjësi të gjykosh në të tilla nivele”, tha Buffon.
Më tej portieri i Juventusit tha se madrilenët e merituan totalisht kualifikimin, ndërsa shtoi se pikërisht skuadra e Zidane është favorite për të fituar Championsin edhe këtë sezon.
(E.K/FAXWEB.AL)