Policia italiane ka arrestuar sot një shqiptar të kërkuar për thyerje të urdhrit të Gjykatës, por edhe i dënuar më parë për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje nga Gjykata e Firences.
Ka qenë një kontroll rutinë në lagjen e argjendarive në Firence, ku agjentët e Departamentit të Parandalimit të Krimit të Toskanës hasën me një makinë të madhe të zezë, që po lëvizte në mënyrë të parregullt. Shoferi, në vend që të ndalonte dhe t’i bindej urdhrit të efektivëve, ka nxituar në arratisje.
Por gjatë ndjekjes, ai rrezikoi edhe udhëtarët e tjerë për aksident ndhe policët në patrullë, duke bërë manovra. Derisa u përplas me një tabelë anash rrugës dhe dalë prej saj. Gjithsesi nuk u dorëzua, duke tentuar largimin në këmbë.
Hetimet e koordinuara dhe drejtuara nga Davide Comito, me ndihmën e ekspertëve të Policisë Shkencore, bënë të mundur identifikimin e tij falë elementëve të gjetur në makinë dhe njohjes fizike.
35-vjeçari, në shërbim prove pas një dënimi të gjatë për krime të rënda, natën e ndjekjes kishte shkelur kërkesat e Gjykatës, duke mos u kthyer në shtëpi dhe duke përdorur alkool dhe drogë. Në hetimet e tjera, shqiptari u denoncua për rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe dëmtim, shkruan media italiane.
Gjykata urdhëroi riarrestimin e tij, me qëllim vuajtjen e dënimit të mbetur që i ishte falur për vrasjen e kryer hershëm. Ai u transferua në Burgun e Firences për ta kryer këtë dënim, teksa do procedohet dhe për akuzat e reja.