Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, mësohet se i ka dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe Turqisë letër ku kërkon dënimin e platformës shqiptare.
Ai ka kërkuar konkretisht që të hedhin poshtë për shkak të përmbajtjes së saj të rrezikshme për shtetin maqedonas, platformën shqiptare që e cenon.
Në letrën dërguar presidentit amerikan Donald Trump, kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov shprehet se dënimi i kësaj platforme është mënyra më e mirë për kapërcimin e krizës politike.
“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga kriza pa rrugëdalje në të cilën ndodhemi. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinës, para se gjithash reformat prioritare, stabilizimin politik, uljen e tensionet e ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euroatlantik.
Platforma është një dokument paszgjedhor i arritur në shtet të huaj, në kabinetin e një kryeministri të huaj. Më këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Maqedoninë në pozitën e varshmërisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë me të cilën rrezikohet karakteri unitar i shtetit. Platforma rrënon Marrëveshjen e Ohrit, e cila rregullon marrëdhëniet mes bashkësive etnike me Maqedoninë.”, shkruan ndër të tjera ai në letër
Më tej, ai kërkon dënimin e përzierjes flagrante në punët e brendshme, të dy shteteve fqinje të Maqedonisë, aspirantë për anëtarësim në BE. Kjo letër vjen pas mbledhjes së të hënës së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel. (XH.A/SHUPLAKA)