Dy të dyshuarit kryesorë për masakrën e Dobračit, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, janë vetëdorëzuar sot në Policinë e Shkodrës, të shoqëruar nga avokati i tyre, Sokol Tahiraj. Ata ishin shpallur në kërkim nga policia pas ngjarjes tragjike të ndodhur më 31 tetor 2024, ku mbetën të vrarë Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Gjithashtu, gjatë masakrës, humbën jetën aksidentalisht Flutura dhe Bashkim Basha, duke e bërë ngjarjen edhe më të rëndë për komunitetin.
Sakica dhe Troshani akuzohen si autorët e atentatit, ndërsa dorëzimi i tyre në polici vjen pas disa javësh në arrati. Në prani të avokatëve të tyre mbrojtës, ata janë dorëzuar për t’u përballur me drejtësinë lidhur me akuzat e ngritura ndaj tyre.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe është një nga rastet më të rëndësishme kriminale që po hetohen në Shkodër. Policia dhe prokuroria pritet të hedhin dritë mbi rolin e të dyshuarve në këtë masakër.