Kryetarja e sapozgjedhur e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, falenderon ish-kryetarin Petrit Vasili, i cili ishte ai që e propozoi si kryetare.
Ende pa e marrë veten pas Konventës Kombëtare Zgjedhore, Kryemadhi shkruan në rrjetet sociale se ndihet ende e emocionuar nga mbështetja dhe besimi që i është dhënë. Sakaq, për Vasilin shton se këshillat e tij do të mbeten të rëndësishme për të si politikane dhe si drejtuese e LSI-së.
“Jam ende e emocionuar nga konventa e sotme e LSI, nga mbështetja dhe energjia që më dhatë të gjithë ju në sallë dhe qindra e mijëra të tjerë që na ndoqët nga ekrani apo rrjetet sociale.
Unë do të doja t’ju shtrëngoja duart të gjjthëve, t’ju shprehja edhe njëherë mirënjohjen për besimin dhe energjinë që na jepni çdo ditë. Por në veçanti dua të falenderoj mikun dhe bashkëluftëtarin tim të hershëm dhe shumë të dashur, Petrit Vasilin, këshillat dhe mbështetja e të cilit kanë qenë dhe do të mbeten shumë të rëndësishme për mua si politikane dhe si drejtuese e LSI.
Ndihem krenare që do të jemi në krah të njëri-tjetrit në betejën tonë të madhe opozitare. LSI do të jetë opozita pa kompromis, kundër tiranisë së një qeverie të inkriminuar, të korruptuar dhe të marrë peng nga oligarkët. Të gjithë së bashku do të jemi zëri dhe forca kundër mafias në pushtet.”, shkruan Kryemadhi. (D.D/Shuplaka)