Gjërat nuk shkojnë siç duhet në ekipet kombëtare të futbollit. Pas humbjes së Kombëtares A ndaj Izraelit, rezultat që tronditi opinionin futbollistik nëvend, sipas asaj që shkruan Panorama Sport, edhe Kombëtarja U-21 dhe U-19 vijon të ketë probleme.
Gjithçka lidhet me faktin se këto ekipe vazhdojnë të jenë pa trajner.
Zgjedhja e trajnerëve për Kombëtaret e çdo niveli është ekskluzivitet vetëm i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Që prej 20 tetorit, Kombëtarja Shpresa është pa trajner, ndërkohë që Arjan Bellai është shkarkuar nga U-19 që më 7 nëntor. Ndonëse për të dyja këto skuadra nuk ka garë kualifikuese në këto momente, është e papranueshme që të jenë pa një seleksionues dhe një njeri që të merret me talentet shqiptarë nëpër botë.
Paolo Tramezzani, në detyrën e Drejtorit Sportiv të ekipeve Kombëtare është angazhuar edhe për seleksionimet e ekipeve të moshave, ndërkohë që fare mirë mund ta delegojë diçka të tillë te trajnerët përkatës për moshat e ndryshme, shkruan Panorama Sport.