Ajo që po ndodh me SHBA-në shpeshherë ngjall konfuzion. Një gjykatë amerikane ka penguar përkohësisht deportimin e personave me viza, apo refugjatëve të bllokuar nëpër aeroporte pas urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Trump.
Urdhri i tij ekzekutiv ndaloi tërësisht programin amerikan për refugjatët, ndërsa vendosi gjithashtu një ndalim 90-ditor të hyrjes së shtetasve nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Edhe ata që mund të kenë qenë në fluturim e sipër, janë prangosur me të shkelur në tokën amerikane, edhe pse kanë pasur viza të vlefshme apo leje të tjera emigrimi.
Të shtunën, Trump u tha reporterëve se “gjithçka është duke funksionuar më së miri, e këtë e shohim nëpër aeroporte dhe kudo tjetër”.
Por vendimi i gjykatës së Nju Jorkut, i marrë nga juristja Ann Donnelly, parandaloi largimin nga SHBA të njerëzve me aplikime të aprovuara refugjatësh, me viza të vlefshme dhe “individëve të tjerë që janë të autorizuar ligjërisht të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”.
Vendimi emergjent sqaron gjtihashtu se ekziston një rrezik për “dëmtime të qenësishmedhe të parikuperueshme” për ata që preken prej urdhrit ekzekutiv. Vendimi i kësaj gjykate nuk ka të bëjë me kushtetutshmërinë e urdhrit ekzekutiv të Trumpit, por ajo që do të ndodhë me pasagjerët e bllokuar nëpër aeroporte mbetet ende e paqartë.
Në orët e para të së dielës, Departamenti për Sigurinë e Brendshme tha se do të vepronte në përputhje me vendimin e gjykatës, por pa harruar të zbatojë urdhrin e presidentit Trump. E gjitha kjo ndodhi pas një rasti të së shtunës, kur u arrestuan dy shtetas irakianë në Aeroportin “JFK” të Nju Jorkut. Njëri punonte për ushtrinë amerikane në Irak, ndërsa tjetri ishte i martuar me një punonjëse të kontraktuar nga ushtria amerikane. Të dy ata u lanë të lirë në pritje të seancës së dytë më 10 shkurt. (E.K/SHUPLAKA)