Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Akri Çipa ka dhënë një intervistë për Fax News ku ka folur lidhur me samitin që pritet të mbahet ditën e nesërme në Bruksel ku do të diskutohet për arritjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sa i takon procesit të integrimit në BE.
Çipa tha se Komisioni Europian po përpiqej të merrte në dorë procesin duke vepruar sa i takon vetos së Bullgarisë ndaj Maedonisë së Veriut. Ndërsa shtoi se sinjalet ishin pozitive dhe se mund të kishte një “po” për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, por me një kushtëzim për këtë të fundit.
“Mendoj se janë inkurajuese sinjalet që po vijnë nga Bullgaria si për ironi të fatit vetoja e vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut ishte një bllokim edhe për Shqipërinë për shkak të binjakëzimit të bërë mes këtyre dy vendeve. Është ironike që pikërisht opozita në Bullgari ndërmori hapin për të bërë të mundur zhbllokimin e këtij procesi, me garantimin nga ana e KE se shqetësimet e tyre lidhur me Maqedoninë e Veriut do të adresoheshin më tej.
Duket se KE po përpiqet të tregojë “dhëmbët” lidhur me procesin e integrimit. Megjithëse ka një përpjekje për liderët e vendeve të Ballkanit, duket sikur kësaj here do ketë një lloj shtyse të procesit. Pritshmëria është që edhe nëse do të ketë një kushtëzim për Maqedoninë Veriut, të paktën për Shqipërinë të ketë hapje të plotë të rrugës për fillimin e negociatave. Nuk do e quaja një ndarje të dy vendeve por një lloj ndryshimi mbi adresimin e negociatave”– u shpreh Çipa.