Nga ekipi kombëtar i Andorës kanë dalë në një konferencë për mediat në prag të ndeshjes me shqipërinë në “Elbasan Arena” tekniku Koldo Alvarez dhe kapiteni Sergio Moreno, të cilët shprehen optimist për të marrë një rezultat pozitiv.
Alvarez tha se ekipi që drejton do të luajë për më të mirën ndërsa ka vlerësuar edhe ekipin tonë kombëtar duke veçuar lojtarët e masfushës.
“Jemi optimistë dhe do synojmë të marrim më të mirën, edhe pse nuk do vimë me idenë që do fitojmë, sepse ekipi përballë është më i fuqishëm. Me Shqipërinë ka lojtarë që militojnë në ekipe më të mira sesa ne. Do luajmë për më të mirën. Sa i përket faktit që Shqipëria mund të luajë me rezerva, mund të them se ne mund të kontrollojmë atë që do të bëjë Andorra dhe jo Shqipëria. Kjo është diçka që e ka në dorë Shqipëria, sepse ndoshta e kanë mendjen edhe tek Franca. Mungesat tona? Do të futen të tjerë në fushë, do luajnë ata. Shqipëria ka tre mbrojtës të fuqishëm, mesfushë që mund të na hapë probleme, edhe pse mund të mos luajnë, por do të kenë cilësi për të na vënë në vështirësi. Po kalojmë një fazë të mirë dhe mendojmë t’i hyjmë punës tamam dhe të nxjerrim rezultat sa më të mirë. Do mundohemi të bëjmë skemën më të mirë këtë ndeshje”.
Sergio Moreno tha se kanë një rival të fortë përballë por që do të synohet për më të mirën ndërsa shtoi se nuk ka aq shumë për ta kualifikimi në këtë kohë.
“Vijmë nga një ndeshje e mirë me Islandën dhe e dimë që kemi një rival të fortë para nesh dhe do synojmë të bëjmë më të mirën. Nuk e di nëse do luaj nesër, por nëse do jem në fushë do bëj më të mirën time, do të jap 100 % tim. Shqipëria ka lojtarë që luajnë në liga të mira në botë, por do kemi mundësitë tona dhe do mundohemi t’i shfrytëzojmë ato. Nuk ka rëndësi klasifkimi në këtë situatë, ne do bëjmë më të mirën tonë në fushë”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)