Ajo është një nga këngëtaret me origjinë shqiptare mjaft të njohura në Greqi, e cila u bë e njohur sidomos pas prezencës së saj në “Eurovision”, në të cilin korri një sukses të padiskutueshëm me “Fuego”.
Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur Eleni Foureira, e cila ka treguar se dita e sotme është një ditë mjaft speciale për të.
Përmes një foto në rrjetet sociale këngëtarja ka kujtuar kohët e vjetra të fëmijërisë në Shqipëri. Fotoja është publikuar me rastin e ditëlindjes së vëllait të saj, të cilit ajo i shkruan edhe një dedikim.
“Gëzuar ditëlindjen vëllai im, të dua shumë!”- shkruan ndër të tjera Foureira, të cilën realisht mezi e njohëm.
Mesa duket edhe ajo ka qenë tërësisht e ndërgjegjshme për këtë fakt duke e specifikuar përmes një shigjete në anë të fotos se cila është ajo.
Eleni është larguar në moshën 10-vjeçare nga Shqipëria dhe është shprehur gjithnjë që ka patur një fëmijëri të vështirë, por edhe plot me çaste të bukura.
Foureira do të jetë sërisht këtë vit në “Eurovision”, mirëpo këtë herë do të jetë pjesë e skenës si e ftuar special, ndërkohë kujtojmë se Shqipëria këtë vit do të përfaqësohet në festivalin Europian nga Jonida Maliqi me këngën “Ktheju Tokës”.