Pas denoncimit të oficerit të policisë Emiljano Nuhu se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, i akuzuar për përdhunimin e Xhensila Malokut, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Në një konferencë për shtyp, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi atë një dëshmi tronditëse.
Ndërkohë që i ftoi qytetarët që të dëgjonin dëshminë e oficerit, i cili nga azili politik tregon se si tentoi që të mbronte një vajzë të pafajshme duke u kërcënuar nga njerëz të pushtetit.
“Mirëmbrëma. Sot kam ndjekur një dëshmi tronditëse të një oficeri që quhet Emilano Nuhu. Ky oficer, në detyra të ndryshme, dëshmon nga azili politik se si është sulmuar nga kriminale dhe politikanë sepse u përpoq që të mbronte një vajzë të pafajshme dhe të pambrojtur që është torturuar mizorisht nga familjarë të pushtetit. Sot jam ketu para jush që ti kërkoj çdo nëne dhe babai që të ndajmë nga koha juaj për ta parë dhe dëgjuar këtë dëshmi tronditëse. Është e rëndësishme që ta ndjekim të gjithë sëbashku veçanërisht të kushteve të dezinformimi dhe censurës që pushteti po ushtron. Sot ju kërkoj juve dhe mediave që të mundësojnë dëshminë e oficerit”, tha Basha.
Pas transmetimit të videodenoncimit, Basha mbajti qëndrimin e tij për rastin në fjalë ku tha Se “ky është një krim shtetëror dhe para drejtësisë duhet të dalë jo vetëm krimineli Rexhep Rrahja, por edhe ata që i dhanë mbrojtje shtetërore, Rrahman Rrahja, Artur Basha dhe Taulant Balla, ky i fundit i zhytur në krim.
Ata u përpoqën të bëjnë plane dhe kërcënuan Emiljano Nuhun.”
Më tej ai u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në veçanti nënave dhe vajzave, për të mos heshtur por të ngrenë zërin përballë këtij krimi shtetëror.
Në përmbyllje të reagimit të tij, ai i bëri thirrje ndërkombëtarëve të mos heshtin, pasi kjo do të rrezikonte përplasjen shoqërore.
“I bëj thirrje komitetit ndërkombëtar, që të mos mbyllin sytë sërish, por të shohin nivelin alarmant të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, për të mos u bërë me heshtjen e tyre mundësuesit e kriminalizimit të shtetit. Heshtja dhe iluzionet mundësuan drogën dhe krimin politik, por sot kjo heshtje rrezikon të çojë në përplasje shoqërore. Kur shtetin e kap krimi qytetarëve u mbetet vetëm dhuna për të mbrojtur jetën e tyre”, – tha Basha.
(B.B / Faxweb.al)