Ka folur turisti polak, i cili u rrëzuar dje nga kanionet e Gjipesë ndërsa gjetja e tij u bë emundur ditën e sotme. Ai mori disa fraktuar dhe u dërgua në spital për mjekim të specializuar.
Ai ka thënë për mediat se iu desh të qëndronte i vetëm dhe i lënduar në kanionet e Gjipesë. Angey Pistek ndodhej me një grup miqsh por në një moment është ndarë nga ata.
“Rrëshkita në kanion, në orën 1 e pak lajmërova policisë, në orën 4 e cerek dëgjova zërat e policisë dhe pas orës 6 ata erdhën. Kisha frikë dhe dhimbje por tani jam mirë”- tha ai.
Turisti polak ngeci në 50 metra thellësi në kanionet e Gjipesë, ndërsa ekipi i shpëtimit u has në vështirësi për nxjerrjen e tij, pasi kishte pësuar edhe fraktura.
Njoftimi i policisë:
Himarë
Shërbimet e Policisë, shërbimet zjarrfikëse, falë ndihmës së një alpinisti nga Vlora, në një shkallë të lartë vështirësie dhe rreziku për jetën, bënë të mundur nxjerrjen, nga kanionet e Gjipesë, e një turisti polak.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, përmes një mesazhi, të dërguar nëpërmjet Drejtorit Vendor të Policisë Vlorë, që ka ndjekur e drejtuar operacionin e shpëtimit, ka falenderuar alpinistin nga Vlora, Kosta Xhaho, Delta Forcën , zjarrfikësit, shërbimet e Policisë Himarë dhe ekipin e Urgjencës, për sakrificën dhe shpëtimin e turistit polak.
Në lidhje me informacionin paraprak të datës 08.04.2022, ku në Sallën e Komandës dhe të Kontrollit në DVP Vlorë, ka ardhur një telefonatë nga një turist, shtetas polak, A. P., 24 vjeç, i cili kishte kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ishte rrëzuar në vendin e quajtur “Kanionet e Gjipesë” dhe kishte pësuar frakturë në njërën këmbë, sqarojmë se:
Menjëherë në drejtim të tij u nisën shërbimet e Policisë Himarë, MNZ Himarë, Delta Forca, një mjet i Urgjencës Mjekësore, si dhe alpinisti Kosta Xhaho.
Pas një pune profesionale në kushte të larta të rrezikshmërisë për jetën, për shkak të terrenit mjaft të vështirë, dhe duke treguar kujdes që turisti të mos dëmtohej më shumë, paraditen e sotme, u bë e mundur nxjerrja e shtetasit polak dhe transportimi i tij për ndihmë mjekësore. Shtetasi polak A. P. është aktualisht jashtë rrezikut për jetën.