Prokurori i Prokurorisë për Krime të Rënda, Olsian Çela, duket se ka fituar betejën e parë në garën për Kryeprokuror të Përgjithshëm, por akoma jo luftën. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, arriti t’i japë më tepër pikë në vlerësimin përfundimtar, duke e cilësuar si kandidatin më të përshtatshëm për të marrë në dorë për shtatë vitet e ardhshme organin e akuzës. Olsian Çela spikati në intervistën e realizuar nga KLP, edhe për shkakun se kishte përgatitur një platform të plotë dhe të qartë për punën që do të kryente nëse do të arrinte të zgjidhej si Kryeprokuror. Vëmendje e Çelës duket do të përqëndrohet në një reformim të thellë të akuzës, çfarë pretendon ta fillojë me transparencën e këtij institucioni edhe për median edhe për opininon publik, për të vijuar më tej me reform të thellë në garantimin e pavarësisë së prokurorëve në dosjet që do të trajtohen e plot të tjera.
Olsian Çela nuk vjen rastësisht në garën për Prokurorinë e Përgjitshme. I pari i renditur nga KLP ka një karrierë të gjatë si prokurorë dhe ka hetuar disa prej dosjeve më të bujshme në Prokurorinë për Krime të Rënda. Për katër vite ka drejtuar këtë të fundit, ndërsa periudha kur ai ka drejtuar ka spikatur në hetimin e disa dosjeve aspak të lehta. Marrëdhënia e tij me të përkohshmen e Prokurorisë së Përgjithshme, Arta Marku, nuk ka qenë e mirë, ndërsa përplasja ndodhi gjatë kohës kur Marku e transferoi në Berat para disa muajsh. Gjykata e ciëlsoi të paligjshëm transferimin e tij, duke e rikthyer si prokuror tek Krimet e Rënda.
Çela e nisi karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pasi u diplomua në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në akuzën e Tiranës. Në vitin 2004, u emërua prokuror tek Krimet e Rënda. Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Kandidati për Kryeprokuror, Olsian Çela, ka hetuar dosje të bujshme, siç është Xibraka, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.
Sokol Dema