Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po bën të mundur edhe gjatë këtij viti, që çdo muaj t’i kushtohet një qarku në Shqipëri, ku gratë mund të kryejnë mamografi pa referimin e mjekut dhe me orare të zgjatura. Gjatë janarit vajzat dhe gratë në qarkun e Shkodrës mund t’i drejtohen kabineteve të mamografisë për kryerjen e vizitave falas.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “muaji janar nisi me mamografitë falas në qarkun e Shkodrës, si pjesë e programit tonë kombëtar që sjell këtë shërbim çdo muaj, në çdo qark të Shqipërisë”.
““Bashkë” është fjala që duhet të na udhëheqë në luftën kundër kancerit të gjirit. Asnjë grua nuk duhet të përballet e vetme me këtë sfidë. Nëse ke pranë dikë që po kalon këtë betejë, jepi mbështetje dhe qëndroi afër, sepse rrugëtimi drejt shërimit është më i lehtë kur e përballojmë së bashku”, tha Koçiu, duke shtuar se diagnostikimi i hershëm është jetik.
Ministrja Koçiu tha se “shëndeti i grave është përgjegjësi e përbashkët. Ne jemi këtu për ju, çdo hap të rrugës”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur ta shtrijë fushatën e saj sensibilizuese përveç tetorit, edhe gjatë muajve të tjerë të vitit. Kontrollet e rregullta janë thelbësore për luftën kundër kancerit.