Nga Andi Bushati
Edhe vetë Edi Rama ka qenë i ndërgjegjshëm se duke nxjerrë nga qeveria ministra anonimë, nuk prodhon realisht asnjë efekt. Prandaj atë që se ka arritur dot me akte, është munduar ta kompensojë me fjalë.
Ai mbajti një fjalim koktej, me pak krenari për Shqipërinë turistike, me pak mburrje për suksestet ndërkombëtare të vendit, me pak nacionalizëm anti grek dhe me pak hipokrizi pro SPAK, për të dehur me sa mundet, mendjet e socialistëve, të shushatur ditë pas dite, me faktet tronditëse të hajdutërisë.
Në asamblenë e PS-së, para kryeministrit ishte një sfidë e vështirë. Ti jepte koherencë dy anëve që nuk bashkëjetojnë dot së toku: së pari nevojës për të prerë koka ministrash, si kompensim për të kënaqur publikun e shokuar nga vjedhjet masive, ndërsa, nga ana tjetër, krenarisë së socialistëve për 1001 arësyet e sukseseve të qeverisë.
Gjatë kësaj vere, pas arrestimit me burg të ish zv/ kryeministrit Ahmetaj, pas sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës, tek i cili janë hdhur deri më tani 90 milionë euro, pas shpalljes si grabitje të koncesionit të sterilizimit të paisjeve mjeksore, pas ndërprerjes nga BE të fondeve për bujqësinë, Rama duhej edhe të shprehte reflektim edhe të mbante sa më lart moralin e trupave të tij.
Nuk bëri dot as njërën as tjetërën. Ndonëse largoi nga qeveria Olta Xhaçkën, që së fundi e akuzoi edhe Greqia për investimin strategjik të bashkëshortit të saj; ndonëse hoqi qafe ministren Krifca, që kontrollonte grandet evropiane; ndonëse e spostoi nga shëndetësia Manastirliun, që trashëgoi tre koncesionet famëkeqe; asnjëra prej këtyre lëvizjeve nuk e justifikoi dot fabulën e keqbërësve që hanë kumblla dhe dardha pas shpinës së shefit.
Të gjithë mbajnë mend shprehjen e Edi Ramës, në fillim të mandatit të parë, se njerëzit nuk janë hajdutë në vetvete, por ata i bën të tillë sistemi. Tani, askush nuk ka më dyshim se sistemi i rilindjes ka rezultuar një mitër monstrash.
Ai shndërroi në grabitës edhe ata që ndofta se kishin ndërmend ta nisnin këtë rrugë dhe rrezikon t’u ofrojë të njëjtin fat edhe atyre që sapo u futën në kabinet.
Prandaj, qasja alibike se këtu është bërë nami po unë s’kam ditur gjë nuk funksionon.
Ndoshta duke ditur këtë, Rama u mundua të eksploronte një rrugë tjetër, për ti ngritur moralin të tijëve. Në fjalimin alla Fidel Kastro, ai nuk i kurseu penelatat optimiste. Ai foli mbi gjysëm ore për sukseset e industrisë së turizmit, tregoi me mburrje se pas disa ditësh Shqipëria do drejtojë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit dhe nuk e humbi rastin pa nënvizuar se jemi bërë aq të fortë, sa ti tregojmë dhëmbët Athinës.
Por edhe kjo strategji ka pak gjasë të ketë zënë vend. Sepse duke dëgjuar paradën e krenarive të Ramës çdo njeri që reket ta vërë trurin në punë do të pyeste: po kur qenkemi kaq lart, pse u dashka të bëjë një lëvizje që ndodh vetëm pas krizash të mëdha? Pse u dashska të tollovisë gati gjysmën e qeverisë?
Dy rrugët që Rama ka zgjedhur, edhe për të flakur koka ministrash me shpresën për të qetësuar turmat edhe për tu mbushur mendjen këtyre të fundit se jemi shumë mirë, neutralizojë njëra-tjetërën. Ato e zerojnë efektin që do donin të prodhonin duke përforcuar bindjen se ky sistem prodhon qeveritarë me lugë në brez. As investimet strategjike buzë Jonit s’do përfundojnë me ikjen e Xhaçkës, as PPP e shëndetësisë me atë të Manastirliut dhe as djegësit e plehrave nuk do vihen në punë, për faktin se doli nga njëra derë Ahmetaj dhe hyri nga tjetra Mazniku.
Rilindasve nuk i shërben dot më parrulla: “sistemi ynë i bën njerëzit më të ndershëm”. Ata mund të gjejnë shpëtim vetëm tek deviza e vjetër e gjithë banditëve: “njerëz si ne e bënë Amerikën”. Pastaj po, pas kësaj, mund të diskutojmë lirshëm për boomin turistik dhe Maldivet e Evropës.