Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme në afërsi të rrethrrotullimit të Kolonjës në daljen e rrugës për Bubullimë.
Mjeti tip “Benz’ me targa AB 373 CD që udhëtonte nga Bubullima për në autostradë, nuk ka mundur të hyjë në rrugë, por ka shkuar drejt dhe pasi ka kaluar dy barrierat e hekurta që ndajnë autostradën, ka përfunduar në kanalin anësor të autostradës. Drejtuesi i mjetit, shtetasi K.H. është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Policia në vendngjarje ka disiplinuar trafikun dhe presin ekspertët për të kryer procedurat dhe për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti spektakolar.
Gjithsesi, nga të dhënat paraprake dyshohet se drejtuesi i mjetit ishte me shpejtësi tepër të lartë dhe nuk ka kryer fare manovër frenuese, por ka thyer dy barrierat e hekurta në autostradë.