Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar mbrëmjen e sotme se vendi ndodhet në një udhëkryq, por që përpara ndodhet sfida e reformave të mëdha, për të cilat shprehet ai, ka shpresë për të ardhmen e shqiptarëve.
Duke folur në ceremoninë e 10 vjetorit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Basha tha se me ndihmën e miqve e partnerëve ndërkombëtarë, duke adresuar edhe një ftesë ndaj tyre, duuhet të punohet për të ndërtuar një të ardhme më të mire.
Kryedemokrati theksoi gjatë fjalës së tij se duk mund të lejohet më një qeverisje e mbyllur, inefiçente dhe infektive të bëhet pengesë për jetën e përditshme dhe të ardhmen e shqiptarëve.
“Dialogu me miqtë dhe partnerët tanë strategjikë është në zemër të së ardhmes plot shpresë për Shqipërinë. Askush nuk duhet ta vërë në dyshim: e ardhmja jonë është plot me shpresë.
Por sot kombi ynë ndodhet në udhëkryq. Ndërkohë që duam të afrohemi më shumë drejt miqve dhe partnerëve tanë në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ne na pret një punë kolosale, me reforma dhe ndryshime të mëdha përpara.
Na duhet të marrim vendimet tona të përgjegjshme si liderë, për të respektuar bazat dhe parimet e demokracisë së vërtetë perëndimore. Nuk mund të lejojmë më korrupsionin ti zërë frymën qytetarëve tanë. Nuk mund të lejojmë më qeverisjen e mbyllur, inefiçente dhe inefektive të bëhet pengesë për jetën e përditshme dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Ju bëj thirrje miqve tanë në këtë sallë dhe kudo: Le të punojmë për Shqipërinë, le të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Një të ardhme të hapjes dhe të transparencës. Një të ardhme ku ato vlera të shenjta të mishëruara në vetë Kushtetutën Amerikane të bëhen pjesë e jetës tonë të përditshme.
Që të kemi një qeveri me të vërtetë të njerëzve, nga njerëzit dhe që punon ditë e natë për njerëzit. Unë kam besim se kjo e ardhme është shumë e afërt. Sepse besoj tek Shqipëria. Ju faleminderit për miqësinë dhe ndihmën tuaj të pakursyer në gjithë këto vite dhe dekada.
Dhe faleminderit që keni zgjedhur të jeni në krahun tonë në këtë rrugëtim për ta çuar vendin tonë dhe fëmijët tanë drejt zhvillimit dhe mirëqenies”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)