Kryetari i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, tha sot se çështja e rekrutimit të inspektorëve në institucionin që ai drejton është shndërruar në një gangrenë.
I pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Metani bëri të ditur se nga 20 inspektorë që ka në organikë trupa e Inspektorëve në ILD, sot ka vetëm 10 inspektorë.
“Ky është bërë gangrenë si proces. Është kërkesë në vijimësi. Ka rezultuar dhe në kërkesë për ndryshime ligjore për të mundësuar plotësimin e trupës së inspektorëve të ILD, për të pasur dhe inspektorë magjistratë. Nga 20 që duhet të ketë trupa e inspektorëve në ILD, janë 10 në detyrë, 4 magjistratë prokurorë dhe 6 janë jo magjistratë. Thirrjet janë bërë herëpashershme. 8 thirrje deri tani, asnjë interes për t’u bërë pjesë e trupës së inspektorëve të ILD”, theksoi Metani.