Komisioni i Venecias ‘rrëzon’ paketën Antishpifje të qeverisë shqiptare pasi Këshilli i Europës i kërkoi një opinion mbi ligjin e miratuar mes shumë kundërshtive në vend.
Sipas draft opinionit të siguruar nga Fax News TV, Komisioni i Venecias i ka kërkuar qeverisë të mos e miratojë këtë paketë ligjesh për rregullimin e medias online, por ta rishohë pasi vuan paqartësi ligjore si dhe mund të ndikojë në frenimin e fjalës së lirë.
Në këtë draft opinion i cili ende nuk është zyrtarizuar nga Komisioni i Venecias, theksi vihet te roli ‘suprem’ që ka AMA ndaj mediave online, ndaj kërkohet si garanci dhe mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të këtij autoriteti.
“Përbërja e AMA-s dhe Komiteti i Ankesave, i cili zgjidhet nga AMA në bazë të rregullave të hartuara nga AMA, mund të krijojë shqetësime të ligjshme për pavarësinë e këtyre dy organeve. Prania e përfaqësuesve të komunitetit të medias dhe shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat kryesore politike, mund të jetë një hap që forcon pavarësinë e këtij organi.
Së dyti, “është e paqartë nëse anëtarët e AMA-s dhe të Komitetit të Ankesave janë mjaftueshëm të pavarur nga industria e madhe e mediave, në bazë të rregullave për papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit”.
Gjithashtu theksi është vënë dhe tek gjobat e larta (nga n100 mijë deri në 800 mijë lekë) për shkeljet e kryera nga këto media të cilat sipas Komisionit të Venecias mund të barazohen me burgun dhe që ndikojnë po kaq në kufizimin e lirisë së shprehjes, por në mënyrë tinëzare.
“Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave. Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të ftohtë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzarë ndaj mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media. Komisioni i Venecias nuk mbështet gjithshtu parashikimet ligjore të cilat nuk garantojnë pezullim të gjobave ndaj mediave “online” në rast ankimimi në gjykatë”, citohet në draft opinion.
Komisioni i Venecias kujton se sanksionet e rënda nuk duhet të zbatohen menjëherë; procedurat gjyqësore në raste të tilla duhet të kenë një efekt pezullues dhe gjykatat duhet të kenë fuqinë të rishikojnë përmbajtjen e vendimeve në kuadrin e procedurave të cilat ofrojnë garanci themelore të gjykimit të drejtë.
Në fund, Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetërregullues që funksionon në mënyrë efektive dhe që përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave.