Njerëz të afërt me kryebashkiakun e Veronës Flavio Tosi janë të alarmuar nga risku i shpërthimit mediatik të një skandali që po konsumohet në Tiranë.
Disa komunikime konfidenciale të siguruara nga Hashtag.al sugjerojnë se bashkëpunëtorët e Flavio Tosit po investohen për të sfumuar bujën e një kontrate të dyshimtë shitjeje e cila është denoncuar në prokurori.
Bëhet fjalë për kontratën e shitjes së kompanisë ‘Serenissima’ e cila kryen punimet në Bypass-et e Fierit dhe Vlorës.
‘Serenissima’ (me kapital 5 milionë euro) i është shitur një kompanie të quajtur L.C.I srl (me capital 60 mijë euro) e cila është në pronësi të një shtetasi italian të quajtur Giuseppe Latinno, i cili rezulton i dënuar në Itali me 3 vite burg për mashtrim financiar dhe në vitin 2015 ka marrë një dënim shtesë për të mos kryer asnjë veprim tregtar deri në vitin 2020.
Nga ana tjetër i lidhur me kompaninë blerëse L.C.I srl rezulton i lidhur dhe shtetasi Marco Lacaita, i cili është një avokat që më parë ka punuar si përfaqësues i firmës ‘Serenissima’.
Punimet në Bypass-et e Fierit dhe Vlorës janë ndërprerë dhe firma ‘Serenissima’ është paditur nga dy kompani shqiptare për një borxh të papaguar prej 13 milionë eurosh.
Këto dy kompani shqiptare(C.A.E Construction dhe Elite Mine) kanë dorëzuar në prokurori kallëzim penal për shitjen fiktive të kompanisë ‘Serenissima’.
Por ‘Serenissima’ nga ana e saj është pjesë koorporatës italiane ‘A4’, ku Bashkia e Veronës ka rreth 49 për qind të aksioneve.
Disa komunikime të siguruara nga Hashtag.al tregojnë se drejtues të kompanisë ‘Serenissima’, njëherësh dhe persona të lidhur me kryebashkiakun e Veronës Flavio Tosi, janë shfaqur të alarmuar që skandali i shitjes së kompanisë të mos bëhej objekt mediatik, pasi kjo mund të dëmtonte kryebashkiakun e Veronës në zgjedhjet lokale që do zhvillohen pas pak javësh në Verona.
Flavio Tosi është një lidhje e afërt e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Rama detyroi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj një vit më parë, që t’i jepte një kontratë ekskluzive për pastrimin e plehrave të Tiranës, një kompanie miks të kontrolluar prej Bashkisë së Veronës./ Hashtag.al