Kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave përfundon në datën 31 dhjetor 2024.
Ministria e Financave ka hartuar projektligjin “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 61/2012 ‘PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, TË NDRYSHUAR”, sipas të cilit nga data 1 janar 2025, propozohet që prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të kryhet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Gjithashtu, për efekt të rëndësisë që kanë elementët e sigurisë së pullave fiskale propozohet që këta elementë të përcaktohen me VKM.
Sa i përket procedurës së porositjes së pullave fiskale, ajo mbetet e njëjtë, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do ti paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Koncesioni i pullave fiskale duhet të përfundonte në 6 shkurt 2023, por Kuvendi vendosi që ta shtynte atë deri në dhjetor 2024.
Zgjatja e afatit shkaktoi pakënaqësi te bizneset , të cilat u ankuan se ky koncesion vetëm sa kishte shtuar ngarkesën fiskale dhe nuk i kishte shërbyer qëllimit të tij për të luftuar evazionin. Tarifa e lartë e pullave fiskale ishte kundërshtuar ashpër nga bizneset e mallrave të akcizës, pasi rëndon kostot prodhuese.
Në Shqipëri tarifa e pullave fiskale është 22,4 USD për 1,000 copë, ndërsa në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD. Sipërmarrësit vendas paguajnë gati rreth herë më shumë në raporti me çmimin mesatar të pullave në Europë.
Ndërkohë, pretendimet e kompanisë ishin që kontrata të shtyhej për një afat 10-vjeçar, pasi nuk ishte realizuar komponenti i vendosjes së pullave fiskale te barnat. Kontrata për vendosjen e pullave fiskale u miratua nga Parlamenti në shkurt të 2011-s dhe që nga ajo kohë është ndryshuar disa herë. Fituesi i koncesionit ishte “SICPA Security Solutions Albania”./Monitor