Është konfirmuar në detyrë drejtuesi i Prokurorisë së Pogradecit, Sotir Kllapi. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hetuar në të treja shtyllat, pasuria, pastërtia e figurës, dhe aftësitë profesionale, dhe ka rezultuar se Kllapi i kalon të tre këto kritere.
Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe ka nisur punën si prokuror fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Ai e ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës, përpara se të emërohej drejtues në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2014.
Drejtuesi i Prokurorisë së Pogradecit nuk deklaron të ketë pasuri të paluajtshme apo automjet dhe referuar deklarimeve të tij, ai jeton me qera në Qytetin Studenti. Ai zotëron 2.6 milionë lekë likujditete bankare dhe 1.4 milionë lekë kursime në cash.
Të ardhurat për periudhën deklaruese janë rreth 9 milionë lekë. Rreth 92% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni, 5% dhuratat e familjarëve në cash dhe 2.7% burojnë nga mësimdhënia.
(E.K/FAXWEB.AL)