Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, ka arritur në Kosovë për një vizitë zyrtare. Së pari ai është takuar me homologun e tij në Kosovë, Glauk Konjufcën.
Pas takimit në një konferencë për media ministri Konjufca tha se me Shqipërinë kanë raporte vëllazërore.
“Nuk mund të shkruajmë thjesht me fjalën të ngushta apo miqësore apo institucionale ose thjesht të shkëlqyeshme por janë raporte përtej të gjitha këtyre vëllazërore. Ne kemi më shumë ndaj njëri-tjetrit obligime se sa falenderime. Konsideroj se është bërë një punë shumë e madhe deri tash, por, hapësira për ti thelluar marrëdhëniet tona është gjithmonë e hapur. Doja që të them se sa i përket bashkëpunimit tonë, marrëveshjet që janë arritur deri tash e që janë me dhjetëra do të përpiqemi që t’i zbatojmë. Sa i përket kësaj që mbledhja e qeverive tona e përbashkët që do të ndodhë në Shkodër ne do të jemi në koordinim maksimal”, tha Konjufca, teksa i kritikoi raportet ekonomike dhe tregëtare Kosovë – Shqipëri.
“Sa i përket raporteve tona ekonomike dhe tregtare mendoj që duhet që të përmirësohen, prej se është vendosur tarifa prej qeverisë Haradinaj ndaj Serbisë, shkëmbimet sa i përket Shqipërisë në drejtim të Kosovës janë rritur mbi 300%, mirëpo, kjo nuk ka ndodhur edhe me shkëmbimet që shkojnë prej Kosovës në drejtim të Serbisë. Kjo duhet të përmirësohet. Natyrisht edhe vetë raportet tona duhet ta pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët”, shtoi ai, raportojnë mediat në Kosovë.
Konjufca i ka përshëndetur disa iniciativa të ministrit Cakaj, teksa e ka falënderuar për mbrojtje të Kosovës sidomos në theks me ndërhyrjet e vazhdueshme që ka bërë Serbia.
“Sa i përket veprimeve që i kemi parë prej Republikës së Shqipërisë, me iniciativë për ministrin Cakaj, si bashkimi i partive të Luginës, Preshevës dhe Bujanovcit që të marrin pjesë së bashku në zgjedhje, ne e përshëndesim dhe e çmojmë këtë akt. Z.Cakaj më informoi se është duke tentuar që të njëjtën përpjekje ta bëj edhe me shqiptarët në Malin e Zi. E dimë që në çdo takim të z. Cakaj e ka politikë ditore të përditshme mbrojtjen e Republikës së Kosovës, të interesave tona të përbashkëta. Ka qenë shumë aktive sa i përket mbrojtjes nga kjo kampanja për çnjohje nga Serbia.
Edhe vetë kryeministri Rama ka qenë shumë aktiv që të pengohet kjo fushatë e Serbisë kundër Kosovës. z.Cakaj më informoi se Shqipëria është e gatshme t’i ndihmojë Kosovës edhe sa i përket OSBE-së. Është lajm shumë i mirë për gatishmërinë që ka Shqipëria që ta rikthejë një praktikë të mëparshme sa i përket pranisë së Kosovës atje”, tha Konjufca