I nominuari për Kryeministër i koalicionit PDK, AAK dhe Nisma, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk do të lejohen improvizime dhe se Qeverinë do ta formojë koalicioni që i ka fituar zgjedhjet.
Ai është shprehur në një intervistë për Radio Europa E Lirë se beson se pas çertifikimit të rezultatit final do të krijohet qeveria e re nga koalicioni PDK, AAK dhe Nisma.
“Tash jemi në pritje të rezultatit final, por afërsisht dihet numri i deputetëve të koalicionit tonë. Kushtetuta jonë parasheh edhe rolin e komuniteteve e të gjithëve në Qeveri. Po ashtu do të diskutojmë, do të konsultojmë edhe organizime politike ose parti politike shqiptare për ndërtimin e Qeverisë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj la të hapur rrugën edhe për një bashkëpunim me LDK-në, me të cilën ka patur bashkëpunim edhe më parë kur ishte kryeministër para se të shkonte në Hagë.
“ Unë kam pasur një traditë bashkëpunimi më LDK-në nga Qeverisja në të kaluarën në kohën e koalicionit me presidentin Rugova. Jam i hapur për të biseduar me ta. Pra, është e mundshme”, ka deklaruar Haradinaj. (B.H/Shuplaka)
Discussion about this post