Seanca e radhës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha, ka spikatur në mungesën e justifikimit të një apartamenti me vlerë 140 mijë euro.
Komisioni ka dalë në përfundimin se ILDKPI ka justifikuar pasurinë e gjyqtarit, por në hetimet e komisionit, ka mospërputhje të burimit të pasurisë.
Në hetimin e komisionit, rezulton se blerja e apartamentit nuk justifikohet.
Për këtë apartament prej 112 metrash katrorë në Tiranë, është deklaruar marrja e një kredie si i pastrehë në vlerën 5 milionë lekë dhe mungon justifikimi i pjesës së tjetër të shumës.
Avokati që ka përfaqësuar gjyqtarin Hoxha në seancë, ka thënë se klienti i tij e ka blerë apartamentin me një borxh prej 28 mijë eurosh nga kunati.
KPK ka shtuar se gjyqtari Hoxha nuk ka deklaruar një llogari bankare, ndërsa pranë KPK-së janë dorëzuar 3 denoncime për të.
Nga ana tjetër avokati ka thënë se Hoxha ka bërë paratë në dy dasma në vitet 2000.
Ai ka kërkuar që të dorëzojë dhe pamjet pranë KPK-së, por Komisioni nuk ka pranuar t’i administrojë pamjet.
“Gjyqtari ka qenë bashkëpunues me KPK-në. Apartamentin, gjyqtari e ka blerë me kredi dhe një borxh të marrë nga kunati në vlerën e 28 mijë eurove. Nga dy dasmat e bëra gjyqtari ka grumbulluar vlera monetare dhe dhurata. Gjyqtari lekët e shtëpisë i ka bërë cash por ai i ka deklaruar pranë ILDKPI.”-ka thënë avokati i Hoxhës, Julian Mërtiri.
(F.G/Faxweb.al)