Të hënën u hodh shorti për renditjen e partive politike në fletëvotimet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, në të cilën Lista Serbe do të ketë numrin 112. Përfshirja e saj nxiti reagimin e lëvizjes Vetëvendosje, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që në ditën e fundit të vitit që lamë pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se vendimi i këtij paneli për certifikimin e Listës Serbe është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.
Partia në pushtet këmbëngul se secili vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e tij duke theksuar se në mungesë të votimit ky vendim është i paligjshëm. Zëvendësministri i Drejtësisë, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu tha sot se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shkeli sërish ligjin me përfshirjen e Listës Serbe në fletëvotim, pa e pritur përgjigjen e Panelën në ankesën e kësaj lëvizjeje.
“Në bazë të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP”, shkroi ai në rrjetet sociale.