Kredia për biznese në muajt e parë të vitit shënoi një rritje vjetore me 1.8%. Sipas Bankës së Shqipërisë ky zgjerim është mbështetur nga kredia në lekë, për investime dhe në sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, ecuria e dobët e kredisë për biznese ka vazhduar, e ndikuar si nga kërkesa e ulët për kredi ashtu dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit nga bankat.
Bankat presin një situatë të ngjashme edhe në tremujorin e dytë të vitit 2017. Teprica e kredisë për biznese në fund të muajit shkurt përbënte 67.8% të totalit të kredisë për sektorin privat. Ecuria e dobët e kredisë për biznese në harkun kohor të një viti ka diktuar rënien e peshës së këtij portofoli ndaj totalit, me rreth 0.7 pikë përqindje.
Banka vlerëson se përmirësimi i aktivitetit ekonomik ende nuk ka sjellë shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese, por ai ka ndikuar në shtimin e likuiditetit të bizneseve dhe në një rritje të ulët të kërkesës për kredi nga ky segment.
Në dy muajt e parë të vitit 2017, kredia për biznese është tkurrur me 2.2 miliardë lekë përkundrejt dhjetorit 2016, duke ngadalësuar më tej ritmet e rritjes vjetore, në 1.8%.
Ky ngadalësim ka ardhur si nga tkurrja e kreditimit në valutë për biznese, ashtu edhe nga ajo për likuiditet. Këto zhvillime janë pasqyruar në një kontribut më të ulët në rritjen e kredisë totale, në 1.2 pikë përqindje përkundrejt 1.6 pikë përqindjeje të dhënë një tremujor më parë apo 2.2 pikë përqindjeje që shënonte para një viti.
Ecuria e dobët e kredisë për biznese është rezultante e kërkesës ende të dobët për kredi, si dhe kushteve të shtrënguara të kreditimit të ofruara nga bankat, veçanërisht për segmentin e korporatave. Rimëkëmbja e kërkesës për kredi nga ky segment mbetet e dobët, e lidhur si me likuiditetin e shtuar ashtu edhe me përdorimin e lartë të levës financiare në të.
Rritja e kredisë për biznese është përcaktuar nga kreditimi në lekë, i cili vijon të rritet me ritme të larta prej 10.5%, normë kjo ndër më të lartat e katër viteve të fundit.
Megjithatë, zhvillimet mujore të dy muajve të parë të vitit tregojnë që krahas tkurrjes së portofolit të kredisë në valutë (me 1.8 miliardë lekë), rënie të lehtë ka shfaqur edhe kredia në lekë. Kreditimi në valutë shfaqi tkurrje më të madhe vjetore, prej 2.8%, përkundrejt 1.2%, të shënuar në tremujorin e fundit të vitit 2016. Kjo ecuri është ndikuar edhe nga mbiçmimi vjetor i lekut ndaj euros.
Rregulluar për këtë efekt, tkurrja e kredisë në valutë do të ishte pak më e ulët se në tremujorin e fundit të vitit 2016. Në muajin shkurt, kompozimi i kredisë së bizneseve sipas monedhave tregon se pesha e kredisë në lekë, prej 37.1%, është ndjeshëm më e lartë se niveli prej 34.2%, që shënonte një vit më parë. Përgjatë vitit të fundit, portofoli i kredisë së bizneseve po shfaq një zhvendosje të shpejtë drejt monedhës vendase, e nxitur kjo edhe nga kreditimi në lekë për qëllime investimi. Nivelet minimale të diferencës së normave të interesit të kredisë në lekë me atë në euro, krahas ndërgjegjësimit për rrezikun e kursit në kredinë në valutë kanë përkrahur këtë zhvendosje./ Revista Monitor