Teksa Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veiut, kriza politike në vendin tonë ka marrë vëmendjen e BE-së. Ishte eurodeputeti Eduard Kukan ai që tha se duhet që politikanët në Shqipëri të tejkalojnë interesat vetjake.
“Komisioneri Hahn ka qenë nder dhe kënaqësi që kam bashkëpunuar me ju. Raporti tregon mjaft interes, një thriller i vërtetë. Dhe reagimi i parë është pozitiv. Ne të gjithë duam që kolegët e Ballkanit perëndimor të ecin para, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë atë që ju sapo thatë.
Mund të ketë shumë pika dhe argumente, por nëse shohim pikat pozitive ka pasur hapa deçizivë drejt Evropës.
Por nga ana tjetër mund të bëhet më shumë. Të gjithë këto vende meritojnë mbështetjen tonë, por edhe ndihmën tonë. Shqipëria, konstatojmë një politike të ngarkuar të brendshme në 30 qershor do kemi zgjedhje lokale dhe u takon liderëve politike të shkojnë përtej interesave të partisë, dhe të shkojnë drejt interesave të qytetarëve.
Edhe ne duhet të bëjmë më shumë, duhet të shohim instrumentet që kemi në dispozicion për të ushtruar një presion më pozitiv ndaj kolegëve tanë në Ballkan. Sepse përkundrazi rrezikohet humbja e kredibilitetit dhe duhet marrë në konsideratë çështja e stabilitetit të Rajonit”, tha Kukan.
Sipas eurokomisionerit Johannes Hahn Shqipëria ka bërë progres në 5 rekomandimet e lëna nga BE, dhe për këtë shkak negociatat duhet që të hapen.
“Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten ende shumë sfida përpara. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende. Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë. BE është partneri ynë kryesor por duhen marrë në konsideratë edhe investimet e Kinës.
Shqipëria është duke bërë reforma, transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Të dyja vendet kanë bërë progrese. Në këtë bazë komisioni rekomandon hapjen e negociatave për të dy vendet. Kushti kryesor është reforma në drejtësi. Për sa i përket kapitujve 23-24. Të dyja palët duhet të japin kontribut”, tha Hahn.
Ndërkohë një nga shqetësimet më të mëdha mbetet ekonomia e dobët e Shqipërisë.
“Ka ende çështje të rëndësishme në rajon, duhet të kenë më shumë qëndrueshmëri. Nuk duam të importojmë mosmarrëveshjet dypalëshe.
Sfida kryesore mbetet ekonomia, e cila përballet me dobësi. Duhet të reformohen. Çështjen e papunësisë duhet zgjidhur, çështja e emigracionit dhe lindjet e ulëta janë problem. Standardet e jetesës duhet të rriten pasi janë të ulëta”, deklaroi Hahn.
Ndërkohë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut është shprehur dhe eurodeputeti Cristian Preda, i cili ka thënë se BE duhet të mbajë premtimet ndaj këtyre dy vendeve.
“Këshilli i qershorit duhet të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, i kemi kërkuar kushte këtyre vendeve dhe duhet të mbajmë premtimin pasi këto vende i kanë plotësuar kushtet. 5 vite më parë unë kam filluar të punoj me Bosnje Hercegovinën, nuk kishte asnjë vend kandidat tashmë, ka qenë e vështirë, sot kemi një vendim pozitiv për kandidaturën e Bosnjes. Ky është një sinjal pozitiv për këtë vend, por shoh të qartë se Bosnja ndodhet në rrugën e Evropës, janë evidentuar përparimet që janë bërë në demokraci, sidomos reforma në administratë”, tha Preda.