Intervista e sotme e ambasadorit të Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin riktheu edhe një herë në vëmendje marrëdhëniet Shqipëri-Rusi, që siç thotë Ismail Kadare në romanin e tij “Dimri i vetmisë së madhe” se këto marrëdhënie i ngjajnë stinëve të vitit. Herë dimër i ashpër dhe herë verë e nxehtë.
Kulmi i këtyre marrëdhënie janë regjistruar pas Luftës së Dytë Botërore, ku ish-Bashkimi Sovjetik, si triumfues i Luftës dhe vendosës i komunizmit në Europë, mori rolin e liderit të vendeve të Europës Lindore. Shumë studentë shkuan dhe studiuan në BS, ndërsa shumë vajza u martuan dhe krijuan familje me të rinj shqiptarë.
Prishja e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Moskës nisi me vdekjen e Josip Stalin. Ardhja e Nikita Hrushovit në drejtimin e Bashkimit Sovjetik solli edhe një erë të re marrëdhëniesh në bllokun lindor. Kritikat që Hrushovi i bëri Stalinit dhe hapja e tij me Perëndimin nuk i pëlqeu aspak Enver Hoxhës. Dhe megjithëse Shqipëria ishte një shtet tepër i vogël në krahasim me Rusinë, Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë nuk hezitoi ta kritikonte ashpër politikën e Hrushovit, kritikë kjo që tronditi botën komuniste dhe që bëri që BS-ja ta shpallte Shqipërinë “non grata”.
Që pas vitit 1961, këto dy vende ngrinë marrëdhëniet duke mos pasur më asnjë lloj pikë kontakti. Madje shumë prej shtetasve rusë që ishin në Shqipëri ose u burgosën, ose u detyruan të largohen në ish-Bashkimin Sovjetik duke lënë në Shqipëri familjet e tyre.
Dy vite më parë “Tirana Observer” ka bërë një kronologji të marrëdhënieve shqiptaro-ruse në shekujt 20 dhe 21, nga viti 1913 deri në 2015.
Marrëdhëniet Shqipëri-Rusi 1913-2016
1913
Historiani i njohur rus Pjetër Iskenderov, në një studim të tij ka nxjerrë një fakt interesant rreth marrëdhënieve Rusi-Shqipëri. Sipas tij, Rusia cariste ishte ndër vendet kryesore që mbrojti kufijtë shqiptarë në vitin 1913. Madje, po sipas tij ishte Rusia ajo që ndaloi Serbinë mos ta pushtonte Shqipërinë gjatë këtyre viteve.
Nëntor 1927
Me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit Socialist të Tetorit, ne Moskë u organizua një Kongres i miqve të BS-së. Fan Noli, një nga personazhet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, kryeministër dhe kryepeshkop, mori pjese në ketë Kongres si anëtar i delegacionit që përfaqësonte popujt e Ballkanit, një veprim që ndonëse nuk është bërë shumë publik cilësohet anë jo shumë e qartë në aktivitetin e tij.
1930
Mendohet se është Ali Kelmendi ai cili solli për herë të parë në Shqipëri idetë komuniste ruse. Në vitet ’30, pas disa viteve emigracion në Rusi, Kelmendi vjen në Shqipëri duke sjellë me vete edhe idetë bolshevike. Kelmendi cilësohet si njeriu që në një mënyrë jozyrtare bëri lidhjet e para me Bashkimin Sovjetik.
1945
Fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945 nisin marrëdhëniet zyrtare dhe diplomatike me Rusinë. Ambasadori i parë në Bashkimin Sovjetik të pasluftës ka qenë Koço Tashko, i diplomuar në Harvard. Ai ishte një nga drejtuesit e Partisë Komuniste dhe u vendos në këtë post për shkak të rëndësisë që kishin marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.
1948
Vetëm pas vitit 1948 marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës bëhen më kulminante. Kjo erdhi si rrjedhojë e prishjes së Stalinit me udhëheqësin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito. Bashkimit Sovjetik i duhej Shqipëria si fqinje e Beogradit, për t’ia kundërvënë serbëve.
1947
Në vitin 1947, Enver Hoxha zhvillon vizitën e parë në Rusi. Gjatë kësaj vizite ai u takua edhe Stalinin. Pas kësaj vizite marrëdhëniet me Moskën shkuan drejt përforcimit. Duke filluar nga viti 1947, Hoxha u takua pesë herë me Stalinin.
1953
Pas vdekjes së Stalinit, marrëdhëniet mes Moskës dhe Tiranës po shkonin drejt ftohjes. Këtu ndikoi era e re e politikës për një bashkëpunim të ri me Perëndimin që solli Nikita Hrushovi e edhe sulmi që Hrushovi i bëri Stalinit si diktator.
28 mars 1955
Shqipëria aderoi edhe në Traktatin e Varshavës, organizatë ushtarake që u krijua nga Rusia ku bënin pjesë vendet komuniste të Evropës lindore për t’iu kundërvënë NATO-s. Nga kjo organizatë Shqipëria doli pas prishjes së marrëdhënieve me Rusinë.
1959
Në maj të vitit 1959, Hrushovi bëri një vizitë në Shqipëri. Por, pavarësisht vizitës, u duk që marrëdhëniet nuk ishin në nivelin e dikurshëm, e shkak për këtë ishte bërë edhe qëndrimi që PK e BS-së mbante ndaj Jugosllavisë me të cilën Shqipëria ishte ndarë që në vitin 1948.
Nëntor 1960
Ky muaj shënon fundin e marrëdhënieve Moskë-Tiranë. Enver Hoxha në Mbledhjen e 81 Partive Komuniste e Punëtore të Botës kritikon rëndë politikën e ndjekur nga Hrushovi. Këto kritika sollën një tronditje në unitetin komunist që nuk u përtypën lehtë nga Bashkimi Sovjetik.
1961
Ishte viti 1961 kur Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me aleatin e saj më të madh, Bashkimin Sovjetik Për 30 vjet me radhë, nuk kishte bashkëpunim të përbashkët.
Traktati i Varshavës
Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike dhe daljes së vendit nga pakti i Varshavës, Bashkimi Sovjetik e kërcënoi disa herë vendin për një sulm nga ana e saj. Por, gjeopolitika e kohës dhe forcimi i marrëdhënieve me Kinën bëri që kërcënimet të mbeteshin vetëm në deklarata.
Nëndetësja 105
Marrëdhëniet e mira me Rusinë bënë që Ushtria ruse të dislokojnë në bazën detare të Pasha Limanit në Vlorë një skuadrilje nëndetëses. Pas prishjes së marrëdhënieve, rusët tërhoqën armatimet, por disa prej tyre u mbajtën nga pala shqiptare, siç ishte nëndetësja 105. Rusët protestuan për këtë vendim të palës shqiptare. Historia e nëndetëses u bë e famshme edhe nga filmi “Ballë për ballë”
1991
Marrëdhëniet diplomatike rinisën. Pertef Hasamataj ishte njeriu që do të emërohej në krye të përfaqësisë diplomatike shqiptare në Moskë, pas gati 30 vjet ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike.
1991-2016
Gjatë këtyre 25 viteve asnjë personalitet i lartë rus nuk e ka vizituarShqipërinë, ndërsa marrëdhëniet janë acaruar edhe më tej kur Shqipëria iu bashkua vendeve Perëndimore për të vendosur embargon ndaj produkteve ruse. (A.R/SHUPLAKA)